19 Janar 2025

AAK-ja i kundërpërgjigjet PDK-së: S’ka pasur marrëveshje

Junik, 21 janar - Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Junik ka reaguar ndaj një deklarate të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në këtë komunë, e cila e ka akuzuar AAK-në se nuk i është përmbajtur marrëveshjes për bashkëqeverisje me PDK-në në Junik.

“Jemi të habitur skajshmërisht me një deklaratë të botuar në gazetën ‘Epoka e re’ më dt. 18.01.2014, e dhënë kinse nga kryetari dhe Dega e PDK-së në Junik, me titull ‘AAK-ja s’i përmbahet marrëveshjes me PDK-në në Junik’.

Sa për informim, ju njoftojmë se AAK-ja në komunën e Junikut është fituese bindëse në zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2013, qoftë për kryetar dhe kuvendin komunal, në koalicion me qytetarin e Junikut. Prandaj, AAK-ja në Junik nuk ka pasur as para dhe as pas zgjedhjeve koalicion apo marrëveshje me asnjë prej partive që veprojnë në Junik. Përkundër kësaj, Dega e AAK-së dhe kryetari i saj, njëherësh kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi, me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimi me Degën e PDK-së, ka ofruar që edhe në mandatin e ardhshëm, 2014-2017, z. Nimon Tofaj të jetë nënkryetar i komunës së Junikut.

Bashkëpunimi është ofruar më tepër për shkak se z. Tofaj, njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në Junik, në mandatin e kaluar ka qenë nënkryetar i komunës dhe ka pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë në kuadrin e qeverisë komunale. Njëkohësisht, krejt kjo ka pasur për qëllim që si autoritet moral dhe njëri i respektuar në Junik ta japë kontributin edhe në mandatin e ardhshëm.

Mirëpo z. Tofaj, para kryetarit të komunës, Agron Kuçi, ka kërkuar të lirohet nga detyra e nënkryetarit të komunës dhe të largohet nga jeta publike përfundimisht për arsye familjare, shëndetit dhe moshës, njëkohësisht duke dhënë dorëheqje edhe nga detyra e kryetarit të Degës së PDK-së në Junik”, është thënë në reagimin e Degës së AAK-së në Junik.

AAK-ja në Junik ka bërë me dije se edhe në këtë mandat të ri qeverisës ka vazhduar bashkëqeverisjen me PDK-në. “Megjithatë, me vullnetin politik vazhduam dhe sot kemi në përbërje të qeverisë komunale drejtorin e Arsimit, z. Musli Isufaj dhe atë të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Kadri Shala, të dy nga Dega e PDK-së në Junik.

Mendojmë se është joserioze që në shkrimin e datës së cekur më lart të lakohet emri z. Tofaj, tashmë i dorëhequr nga kryetari i Degës së PDK-së. Krejt kjo është bërë nga një grup i njerëzve të cilët kanë interesat e tyre personale para atyre partiake, aq më pak interesat e qytetarëve të Junikut.

Është çështje e Degës së PDK-së ta analizojë veprimin e këtyre personave që për interesat e tyre janë të gatshëm të krijojnë situata dhe probleme të paqena”, është thënë në reagimin e Degës së AAK-së në Junik.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)