AAK fton për masa shtesë për të ngujuarit në Restelicë
Prishtinë, 11 shkurt - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me shqetësim të thellë po i përcjellë ngjarjet tragjike të ditës së sotme, në fshatin Restelicë të Dragashit, ku si pasojë e ortekut të borës humbën jetën dy persona dhe kanë mbetur të ngujuar në shtëpi disa të tjerë.
AAK solidarizohet dhe ndan dhimbjen me familjet e viktimave dhe uron që të nxirren të gjallë personat tjerë të ngujuar nga bora në shtëpitë e tyre.
AAK duke e vlerësuar kontributin e njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për ti shpëtuar personat e bllokuar, fton qeverinë që të marrë masa shtesë në shpëtimin e tyre dhe tiu gjendet pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë atyre që pësuan nga kjo tragjedi.
AAK shpreson që tragjedi të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, ndërkohë që fton mekanizmat kompetentë tu gjinden pranë banorëve të Restelicës dhe të marrin masa në parandalimin e tragjedive të tilla dhe vështirësive që po ua sjellë bora dhe moti i ftohtë qytetarëve në mbarë vendin.