AAK edhe pse jashtë Qeverisë, nuk do ta rrëzojë Thaçin
Prishtinë, 5 shkurt - Aleanca e Ramush Haradinajt nuk do të hyjë në koalicion me Hashim Thaçin, por as nuk do të përpiqet ta rrëzojë Qeverinë e tij.
Kjo është marrë vesh të hënën, pas takimit të dy liderëve, që nuk rezultoi me marrëveshje për përfshirjen e AAK-së në koalicionin aktual qeverisës.
Sipas burimeve të afërta me takimin, AAK-ja ka insistuar në postin e kryeministrit për Haradinajn, ndërsa Thaçi ka ofruar vendin e zëvendëskryeministrit dhe së paku tri ministri për AAK-në.Të dyja palët kanë lëshuar njoftime zyrtare për dështimin e arritjes së marrëveshjes për koalicion.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për Kohën Ditore se partia e tij nuk del humbëse nga ky proces, edhe pse që prej lirimit të kreut të saj nga Tribunali i Hagës është shprehur e bindur se do të hyjë në Qeveri dhe se Haradinaj do të marrë postin e kryeministrit.