AAK do ta zgjidhë problemin e ujit në Prishtinë
Prishtinë, 2 mars - Departamenti i AAK-së për Mjedis dhe Planifikim Hapsinor, në konferencën e sotme për shtyp, të udhëhequr nga kryesuesja e këtrij departamenti, deputetja Donika Kadaj-Bujupi, ka konstatuar gjendjen e rëndë të furnizimit me ujë të Prishtinës dhe ka publikuar projektin, mënyrën dhe afatet e implementimit nga AAK-ja, për zgjidhjen e këtij problem, përmes Liqenit të Ujmanit.
E shoqëruar nga ekspertët Prof. Dr. Sylejman Daka dhe Prof. Dr. Zenun Elezaj, këtë platformë e ka prezentuar kryesuesja e këtij departamenti, Donika Kadaj-Bujupi.
Edhe pse të vetëdijshëm se faktori njeri nuk është përgjegjës i drejtpërdrejtë për problemin e furnizmit me ujë të pijes në Prishtinë, megjithatë faktori njeri është ai që do ta zgjidhë këtë problem, ka thënë znj. Kadaj Bujupi.
Sipas saj, vështirësi në përballje me krizën e ujit ka sjellë mosmenaxhimi i integruar institucional i kësaj çështjeje.
Ajo ka thënë se Departamenti i AAK-së për Mjedis dhe Planifikim Hapsinor ka ndërtuar një platformë, si pas së cilës do të zgjidhej kriza me ujë dhe do të dilej një herë e përgjithmonë nga kjo situatë.
Departamenti i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor i AAK-së, ka gjeneru një zgjidhje afatshkurtër dhe funksionale, sipas së cilës me një investim prej 200.000 eurosh dhe në një afat prej më pak se dy javësh pune, mund të zgjidhet problemi i ujit në Prishtinë. Ky investim do të bëhej në renovimin e gypave ekzistues të rrjetit, përmes të cilit do të bëhej mbushja e liqenit të Badovcit me ujë nga Ujmani (Gazivoda), përmes Ibër-Lepencit, ka thënë znj. Kadaj-Bujupi.
Prezentimin e projektit të AAK-së dhe shpjegimin e detajuar porfesional të tij e kanë bërë ekspertët-anëtarë të Departamentit të AAK-së për Mjedis dhe Planifikim Hapsinor, Prof. Dr. Sylejman Daka dhe Prof. Dr. Zenun Elezaj.