AAK: Dje u dhunua Kushtetuta, Liria dhe Shteti i Kosovës
Prishtinë, 23 shkurt - Aleanca e Ardhmerisë së Kosoveës (AAK) në një konferencë për media ka thënë së ngjarja e djeshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës i ka dhënë një hije të keqe jo vetëm institucionit, mirëpo edhe asaj për çka ne kemi luftuar dhe kemi punuar tash e një dekadë.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka dekaruar se dje është dhunuar demokracia në Kuvendin e Kosovës, para syve të qytetarëve të Kosovës dhe para bashkësisë ndërkombëtare, është shkel Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në ditët në vijim, sipas Isufit do ti përdorë të gjitha instrumentet demokratike për ti dalë në ballë kësaj të keqeje që po i vjen vendit dhe për ta parandaluar degradimin e lirisë dhe të shtetit të Kosovës.
"Deputetët ranë nën presionin e tendencës që dikush ta marrë pushtetin me çdo kushte. Të zgjedhurit e popullit, u shantazhuan dhe u manipuluan që vetëm brenda pesë minutash ta ndërrojnë qëndrimin e tyre parimor", ka thënë Isufi.
Ky veprim sipas tij është dëshmia më e mirë se ky koalicion dhe kjo qeveri, nuk janë legjitimë.
"Ky president nuk e përfaqëson popullin e Kosovës, ndërsa kjo qeveri është qeveri interesash e dy individëve, të cilët vepruan për ti shkatërruar institucionet, e tani po bashkohen, për ta rrënuar gjithë atë që është arritur nga sakrifica dhe gjaku i dëshmorëve", është shprehur ai.
Reagimi i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës për ta ndalur këtë degradim u injorua nga ata që nuk njohin asnjë normë demokratike në shoqëri, por mbi të gjitha e kanë epshin për pushtet.