AAK dhe Nisma do të luajnë lojën e Thaçit duke nëpërkëmbur shtetin
Prishtinë, 4 shtator - Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një deklaratë për media ka vlerësuar se seanca e thirrur nga Qeveria është dorëzim i AAK-së dhe Nismës përballë presionit të PDK-së dhe Thaçit për prishje të koalicionit dhe shantazheve të ditëve të fundit.
LDK konsideron se këto dy parti tash do të luajnë lojën e z.Thaçi duke nëpërkëmbur shtetin e Kosovës.
"Ekipi negociator, që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve shumicë të Kosovës, do të përligj në emër të Qeverisë marrëveshjet e fshehta të Thaçi me Serbinë", thekson LDK.
Shteti i Kosovës sipas LDK-se po hynë në një fazë kritike të ekzistencës së vet për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, vrastare për perspektivën e shtetit të Kosovës.
Për LDK-në, sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është pa negociueshëm. LDK-ja nuk do të lejojë përdhosje të shtetit të Kosovës.
LDK-ja thekson se do t’ju prij ndryshimeve që duhet të ndodhin së shpejti në Kosovë.
LDK-ja thekson se nuk do të dorëzohet ndaj dhunës që po i bëhet shtetësisë së Kosovës.