AAK, dështon iniciativa në rastin Pacolli
Prishtinë, 22 mars - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është tërhequr nga iniciativa për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e presidentit me pretendimin se ka shkelur Kushtetutën kur votoi për Qeverinë, pak minuta pasi kishte dhënë betimin si kryetar i shtetit.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës tha se kjo parti nuk ka arritur ti sigurojë 30 nënshkrime të mjaftueshme për të dërguar lëndën në gjykatë. AAK ka kërkuar nënshkrime nga LDK por nuk i ka siguruar.
Ndërkaq, Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së tha se kjo parti është në pritje të përgjigjes për lëndën e parë që e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, dhe deri në përgjigjen ndaj kësaj lënde nuk mund ta mbështesin një iniciativë tjetër.