AAK: Demarkacioni të rinegociohet në Bruksel
Prishtinë, 23 maj - Demarkacioni me Malin e zi, është bërë keq dhe në dëm të Kosovës. Ata që e kanë futur Kosovën në këtë telashe të madhe, duhet të japin përgjegjësi edhe para popullit edhe para ligjit.
Përpjekja e Qeverisë për ta shndërruar demarkacionin në pengesë për procesin e Liberalizimit të vizave, është një tjetër gabim i rëndë i lidershipit institucional të Kosovës.
Deklaraimet e qeveritarëve se Demarkacioni mund të ratifikohet dhe mëpastaj të korrigjohet, janë jo vetëm qëllimkëqija por edhe të rrezikshme.
Gatishmëria e palës malazeze për të përmirësuar gabimet eventuale, e ka zhvlerësuar çdo insistim të Presidentit dhe të Kryeministrit, se ky proces është i pastër.
Prandaj kërkojmë nga Presidenti dhe Kryeministri dhe gjithë vartësit e tyre, që çështja e Demarkacionit të rihepet në Bruksel, në një raund bisedimesh me Palën Malazeze, në mënyrë që të mënjanohen gabimet e bëra, dhe mëpastaj Demarkacioni të ratifikohet në Kuvend.
AAK-ja është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces, që për qëllim ka zgjidhjen e kësaj çështje kaq të ndieshme.
Çdo rrugë tjetër, mund të ketë pasoja afatgjate edhe për Kosovën edhe për Malin e Zi.