AAK: Demarkacioni duhet të rrezohet sot
Prishtinë, 1 shtator - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) beson se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e zi, merr epilog me votimin në Kuvend, prandaj edhe beteja për rrëzimin e kësaj marrëveshjeje, sot, duhet të zhvillohet aty.
Kundërshtimi politik e qytetar, për tash e një vit, duke përfshirë protestat, peticionin e mbi 200 mijë qytetarëve, gazin në Kuvend dhe plot aktivitete opozitare e qytetare sipas AAK-së e kanë dhënë efektin e vet dhe sot një numër i mjaftueshëm i deputetëve e kanë kuptuar se marrëveshja është gabim, dhe prandaj vota e tyre do të jetë kundër.
\"Në këto moment vendimtare, përpara votimit të një çështjeje jetike për Kosovën, të gjithë duhet të jemi të matur e të përgjegjshëm, dhe të mos biem pre e presioneve apo provokimeve, por të mos e ndryshojmë votën kundër.\"
\"Demarkacioni duhet të rrëzohet me votën e të gjithë deputetëve, pa dallim partie politike, rajoni, apo etnie. Vota kundër është votë për Kosovën si një dhe e pandashme.\"
\"Liderët e shumicës, duhet ta kuptojnë, se shumica e deputetëve dhe e popullit të Kosovës, nuk e mbështesin marrëveshjen e tyre! Kjo është demokracia, prandaj çdo përpjekje e tyre për të prodhuar rezultat tjetër të këtij votimi, është përpjekje për ta futur vendin në qorrsokak, dhe gjithë përgjegjësia do të jetë e tyre\", thekson AAK.