AAK çmon lartë mbështetjen e Misioneve ndërkombëtare
Prishtinë, 7 maj - Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës (AAK), vlerëson sërish, siç ka bërë shumë herë deri më tash në të gjitha instancat e saj vendimmarrëse, që Sundimi i Ligjit dhe i Rendit Kushtetues në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, është kusht për stabilizimin e shtetit të Kosovës, për krijimin e rrethanave për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për vendosjen e Kosovës në binarët e procesit të inkuadrimit në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian.
AAK çmon lartë mbështetjen e Misioneve ndërkombëtare, të Zyres Civile Ndërkombëtare (ICO), të EULEX-it, të KFOR-it, të Komisionit Evropian, dhe të shteteve mike perëndimore për sendërtimin e këtyre qëllimeve.
AAK është e vetëdijshme që korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kërcënimet kryesore për Sundimin e Ligjit në Kosovë, për krijimin e institucioneve të qëndrueshme qeverisëse, për ndaljen e teposhtëzës së përgjithshme politike, ekonomike dhe sociale të Kosovës dhe degradimin e shtetit të Kosovës.
Nuk mund të ketë kompromise, lëshim pe dhe zhagitje në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar prej instancave përgjegjëse të drejtësisë të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.
AAK beson që autoritetet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet e qeverisjes në Kosovë, dhe në të gjitha etapat e zhvillimit të institucioneve të lira dhe demokratike në Kosovë, që prej zgjedhjeve të para të mbajtura në tetorin e vitit 2000.