30 Prill 2024

95 kritere janë plotësuar për liberalizimin e vizave

Prishtinë, 18 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës në mënyrë të njëanshme ka plotësuar 95 nga 101 kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Por, kriteret më të vështira që parashihen në këtë dokument janë: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu ka bërë me dije për “Epokën e re”, Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane (MIE). “Janë 95 kritere shumica, prej tyre tashmë janë përmbushur njëanshëm nga Qeveria e Kosovës. Nuk ka dyshim që sfidat më të mëdha do t’i kemi në fushën e rendit, ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit.

Në këto fusha kërkohen rezultate të matshme, konkrete”, ka deklaruar ministrja Çitaku.
Në këtë kontekst, Çitaku ka shprehur optimizëm se të gjitha institucionet e Kosovës do t’i ruajnë unitetin dhe dinamikën në angazhimet e tyre për plotësimin e kritereve dhe në afat rekord sa i përket heqjes së regjimit të vizave. “Besojmë se me një angazhim gjithëpërfshirës në një afat rekord do t’i përmbushim kriteret. Për më tepër, ne kemi misionin e BE-së për rend dhe ligj (EULEX-in). Kjo është një vlerë e shtuar për procesin, garanci për vendet anëtare dhe Komisionin Evropian. Detyrat e shtëpisë nuk janë vetëm për Qeverinë, por për të gjitha institucionet. Unë jam e bindur se ne do t’i ruajmë dinamikën dhe unitetin në përmbushjen e detyrimeve”, është shprehur Çitaku.


Duke folur për numrin e madh të kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave në krahasim me shtetet e rajonit, Çitaku ka thënë se një gjë e tillë nuk paraqet shqetësim për institucionet e Kosovës.

“Është e vërtetë se Bashkimi Evropian ka vendosur më shumë standarde për Kosovën sesa për vendet e tjera të rajonit, por e rëndësishme është që metodologjia është identike me atë të Ballkanit Perëndimor, pra është udhërrëfyes njëfazor. Ne nuk shqetësohemi nga kriteret dhe standardet se, në fund të fundit, ato janë në dobi të shtetit tonë. Për më tepër që shumë prej tyre ne tashmë i kemi përmbushur njëanshëm”, është shprehur Çitaku, duke shtuar se procesi i liberalizimit të vizave nuk duhet të shihet si shqetësim, por si mobilizim i të gjithëve.

“Procesi i zgjerimit dhe ai i liberalizimit të vizave bazohet në mësimet e marra nga e kaluara. Përvojat në vendet e rajonit kanë prodhuar më shumë standarde për ne, por kjo nuk duhet të na shqetësojë aspak, përkundrazi duhet të na mobilizojë më shumë”, ka thënë ministrja Çitaku.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)