56.38% e grave kanë fituar mandatin pa kuotë në Kuvendet Komunale
Prishtinë, 1 korrik - Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Kuvendet Komunale janë transformuar dukshëm nga përfaqësimi i grave, ku 56.38% e tyre kanë fituar mandatin pa kuotë gjinore.
Kjo u bë e ditur në konferencën e organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale”, ku publikua hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale.
Në fjalën hyrëse të konferencës, Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Valmir Gashi, theksoi se ky dokument, do t’u shërbejë akterëve që merren me qeverisjen lokale, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, politikbërësve dhe vendimmarrësve.
Raporti nxjerr disa statistika interesante sa i përket përfaqësimit në kuvende komunale, siç janë numri i madhe i të rinjve që janë për herë të parë në kuvend, të rinjve në kuvende komunale dhe ajo që është më e rëndësishme, përfaqësimi i grave, të cilat rreth 60% e tyre kanë fituar mandatin pa pasur nevojën e kuotës.
Ndërsa, Ferdi Kamberi, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, theksoi rëndësinë e këtij hulumtimi duke nënvizuar se është prej pikave më të rëndësishme për të parë përbërjen e Kuvendeve Komunale, njëherësh qasje e duhur për të diskutuar mes akterëve për problemet, sfidat dhe orientimet për të ardhmen.
Duke prezantuar hulumtimin, menaxheri i Programeve në Institutin KLGI, Besnik Muçaj, nënvizoi se nga zgjedhjet lokale të fundit, ka ndodhur një transformim i Kuvendeve Komunale nga përfaqësimi i grave.
Megjithatë, theksoi se një analizë e tillë shërben për të matur mjedisin institucional të Kuvendeve Komunale e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë.
Dokumenti analizon përbërjen Kuvendeve Komunale në Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh disa faktorë si: moshën, mandatin dhe gjininë.
Megjithatë, ky hulumtim, si faktor kontribuues, ka përfshirë edhe ndryshimet në Kuvendet Komunale, duke krahasuar numrin e mandateve për komuna. Pra, dokumenti pasqyron përbërjen dhe strukturën e Kuvendeve Komunale për mandatin 2021-2025.
Për më tepër, hulumtimi trajton mjedisin politik, institucional dhe të funksionimit të Kuvendeve Komunale; analizon, krahason aspekte kuantitative, ndër mandate dhe mes dy mandateve 2017-2021, duke reflektuar ndryshimet në moshë, në rizgjedhje (mandatarët e rinj), si dhe pasqyrimin në aspektin gjinor.