17 Janar 2025

47.1% e qytetarëve besojnë në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Prishtinë, 15 nëntor - Instituti RIDEA ka prezantuar sondazhin mbi perceptimin e opinionit publik në Kosovë, rreth procesit të integrimit Evropian, liberalizimit të vizave dhe çështje tjera të ndërlidhura të aktualitetit politik në Kosovë.

Sondazhi është kryer gjatë muajit shtator 2016, në 7 rajonet kryesore të Kosovës,  me gjithsejt 1000 të anketuar. 53% të të anketuarve ishin meshkuj kurse 47% ishin femra.

Qëllimi i tij ishte: të identifikojë perceptimin e opinionit publik mbi procesin e integrimit Evropian, për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA); dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Ky sondazh ka gjetur se koncepti i integrimit Evropian është i njohur për shumicën e të anketuarve, përkatësisht për 84.6% prej tyre.

Sondazhi ka gjetur se ka një dallim në të kuptuarit e konceptit të integrimit Evropian. 33.5% e të anketuarve e kuptojnë integrimin Evropian si: një bashkim, organizatë që përfaqëson demokracitë më të zhvilluara perëndimore; 29.6% e tyre e kuptojnë integrimin Evropian si: një proces ekonomik që shmang konfliktet midis vendeve që janë anëtare të Unionit dhe promovon paqe si dhe marrëdhënie të mira mes vendeve fqinje; dhe 25.9% e tyre e kuptojnë integrimin Evropian si: një integrim i shoqërisë kosovare në një bashkim që përbëhet nga vlera krejtësisht të ndryshme nga vlerat tona tradicionale. 

Për më tepër, ky sondazh gjen se shumica e të anketuarve perceptojnë se Kosova do të përfitojë nga procesi i integrimit Evropian.

Ata shprehin përfitimet e mëposhtme: zhvillim ekonomik; lëvizje të lirë; tregti më të lehtë; punësim në BE; shkëmbim në arsim, zhvillim të të rinjve dhe zhvillim kulturor.

Më pak se gjysma e mostrës, përkatësisht, 47.1% e të gjithë të anketuarve perceptojnë se Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit Evropian.

27% e të anketuarve kanë deklaruar se Kosova nuk mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit Evropian.

Dhe 20.1% e të anketuarve nuk e dijnë nëse Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit Evropian.

Nëse i zbërthejmë mbi baza gjinore të dhënat paraprake, mund të thuhet se ky studim identifikon se rreth 45% e të anketuarve meshkuj dhe rreth 35% e të anketuarve femra perceptojnë se Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit Evropian.

Përveç kësaj, numri i moderuar i të anketuarve nga 6 rajonet e Kosovës janë shprehur që integrimi Evropian mund të shihet si një metodë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe vendit fqinj Serbisë.

Në të kundërtën, në rajonin e Mitrovicës, numri i madh i të anketuarve shqiptar etnik percepton se procesi i integrimit Evropian nuk do të çojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në të gjitha rajonet e Kosovës, të anketuarit janë shprehur se procesi i integrimit Evropian është duke u zhvilluar me një ritëm të ngadaltë.

Gjithashtu, anëtarësimi i Kosovës në BE është perceptuar si një mjet për të zgjidhur çështjet ekonomike të Kosovës (67.5%), dhe më pak për sfidat e saj politike (45.6%).

Një numër mesatar i të anketuarve janë të vetëdijshëm që Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Megjithatë, vetëm rreth 30% e të anketuarve të cilët janë të vetëdijshëm për nënshkrimin e MSA-së, kanë shprehur që Kosova mund të këtë përfitime nga MSA.

Gjithashtu, më shumë se 60% e të anketuarve perceptojnë saktë procesin e liberalizimit të vizave; dhe 78.9% e perceptojnë të saktë kohëzgjatjen e qëndrimit në vendet e zonës Schengen nëpërmjet procesit të liberalizimit të vizave. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)