18 Janar 2025

3 nëntori, vendimtar për të ardhmen e Kosovës

Prishtinë, 19 tetor - Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Vlora Çitaku, ka vlerësuar të premten se mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit do të jetë vendimtar për të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës.


“Mbarëvajtja e procesit zgjedhor është vendimtare për të ardhmen evropiane të Kosovës. Më 4 nëntor duhet të gdhijmë me një proces zgjedhor kredibil dhe demokratik. Shpresoj që të gjitha subjektet politike ta kenë këtë parasysh dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime tolerante. Kjo është jetike”, ka deklaruar Çitaku për “Epokën e re”.

Ndërsa sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka thënë se partitë politike duhet të bëjnë çmos që më 3 nëntor të mos përsëriten manipulimet e zgjedhjeve të kaluara. Ai ka thënë për “Epokën e re” se zgjedhjet demokratike janë nevojë jetike për qytetarët e Kosovës.

“Fatkeqësisht, në zgjedhjet e kaluara kemi pasur manipulime dhe vjedhje masive të votave. Prandaj të gjitha partitë duhet të bëjnë çmos që të mos përsëritet një gjë e tillë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Manipulimi i zgjedhjeve është në dëm të së ardhmes së qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Zgjedhjet e lira, fer dhe demokratike janë nevojë jetike për qytetarët e Kosovës. Po ashtu, zgjedhjet demokratike do t’i kontribuojnë edhe procesit të integrimit të shtetit tonë në BE”, ka thënë Beqiri.

Edhe sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka thënë se procesi zgjedhor do të jetë faktori kyç për rrugëtimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës.

“Procesi zgjedhor është elementi kyç për procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në të njëjtën kohë është faktori kyç për gjithë rrugën e mëtutjeshme të Kosovës.

Nëse do të ketë manipulim të votës së qytetarëve, definitivisht kjo do të vendosë një moment tepër të keq, pasojat e të cilit do të jenë të paparashikueshme dhe tepër të mëdha. Prandaj thirrja jonë është tepër e thjeshtë: mos i vidhni votat!”, ka deklaruar Ramadani për “Epokën e re”.

Ndërsa sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje! (VV), Dardan Molliqaj, është shprehur se një proces zgjedhor jodemokratik fillimisht do ta dëmtojë Kosovën, pastaj edhe të ardhmen e saj evropiane.

“Procesi zgjedhor jodemokratik në radhë të parë do të dëmtojë Kosovën, pastaj edhe integrimin tonë drejt BE-së. Nuk do të mund të kemi integrime evropiane derisa kemi institucione jokredibile të dala nga një proces jodemokratik.

Thirrja jonë për subjektet e tjera politike është që në radhë të parë ta respektojnë procesin zgjedhor për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe në radhë të dytë të jenë të vëmendshëm se nuk do të kemi mundësi për integrime evropiane me një shtet, i cili pikën më të rëndësishme të demokracisë e deformon duke e manipuluar procesin zgjedhor”, ka theksuar Molliqaj për “Epokën e re”.

Deputetja e Aleancës Kosova e Re (AKR), Myzejene Selmani, ka thënë se 3 nëntori do të jetë matës i demokracisë për Republikën e Kosovës.

“Shpresoj që të gjitha partitë politike e kanë kuptuar realitetin se nuk është mirë për një shtet demokratik, i cili synon të jetë pjesë e BE-së dhe të ketë zgjedhje jodemokratike. Besoj dhe shpresoj se të gjitha subjektet politike janë në dijeni se këto zgjedhje do të jenë matës i demokracisë në Kosovë dhe matës për çështjen e MSA-së. Prandaj, kërkojmë të respektohet vota e lirë në këto zgjedhje sepse manipulimi i votave jep shembull të keq edhe për shtetin, por edhe për MSA-në”, është shprehur Selmani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)