28 Nëntori do të jetë ditë pushimi në Kosovë
Prishtinë, 23 nëntor - Qeveria e Kosovës njëzëri ka aprovuar sot propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që me rastin e 28 Nëntori të jetë ditë pushimi në Kosovë, në mënyrë që tiu mundësohet qytetarëve që të shënojnë këtë ditë.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës mori vendim për themelimin e grupit për Rishikimin Funksional për Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë. Me anë të procesit të rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit, synohet:
- Të identifikohen dhe përcaktohen objektivat strategjike dhe zhvillimore për fushën e sundimit të ligjit me qëllim të rritjes së efektivitetit të institucioneve shtetërore në zbatimin e ligjit;
- Të rishikohet infrastruktura ligjore që rregullon fushën e sundimit të ligjit si dhe proceset dhe bashkëpunimin në mes të institucioneve që kanë përgjegjësi në fushën e sundimit të ligjit;
- Të vlerësohen kapacitetet e institucioneve me përgjegjësi në fushën e sundimit të ligjit.