24 Maji Dita e Presidentit
Prishtinë, 24 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu sot, më 24 Maj, në Ditën e Presidentit, priti një grup nxënësish të shkollës fillore Hasan Prishtina të Prishtinës, të cilët i uruan atij Ditën e Presidentit.
Në këtë vizitë, këta filloristë shoqëroheshin nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, si dhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Remzi Salihu.
Po ashtu, Presidenti Sejdiu urime për Ditën e Presidentit mori edhe nga një delegacion i Kryesisë së Forumit të Grave të LDK-së, të cilat i shprehën Presidentit Sejdiu përgëzimet e tyre për këtë ditë, si dhe për lidershipin që Presidenti Sejdiu ka treguar gjatë sfidave të mëdha nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.
Duke i falënderuar mysafirët për urimet, Presidenti Sejdiu tha se Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, 24 Maji, lidhet me një datë shumë të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, me 24 majin e vitit 1992, kur u mbajtën zgjedhjet e para të lira nacionale për Presidentin e Republikës së Kosovës, në të cilat fituesi doli Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova.
Po ashtu, Presidenti Sejdiu tha se kjo ditë, përveçqë shënon ditën e postit më të lartë të shtetit, të një vendi, ajo simbolizon mbrojtjen, unitetin, sigurinë dhe prosperitetin e vendit.
\"Kjo është ditë e simbolikës shtetërore në Republikën e Kosovës, ashtu siç i kanë në traditën e tyre vendet me demokraci më të avancuar, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera, theksoi Presidenti Sejdiu.
Gjatë ditës së sotme, Presidenti Sejdiu ka marrë urime edhe nga institucione të tjera dhe nga qytetarë të shumtë të Republikës së Kosovës.