21 mijë e 227 votues të regjistruar në Mitrovicën e Veriut
Prishtinë, 23 janar - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhje gjatë ditës së sotme, të kryesuar sipas radhës nga anëtari i KQZ-së, z. Florian Dushi.
Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Mitrovicën e Veriut që do të mbahen më 23 shkurt 2014.
Në bazë të vendimit të KQZ-së, numri i votuesve të regjistruar në Komunën e Mitrovicës së Veriut, sipas listës së fundit të freskuar të votuesve është: 21 mijë e 227 votues.
Totali i shumës së mjeteve të lejuara për tu shpenzuar nga subjektet politike për fushatën zgjedhore në Komunën e Mitrovicës së Veriut është 10 mijë e 613 euro e 50 cent, domëthënë 50 cent për votues.
Po ashtu, KQZ emëroi anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve për Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e Strategjisë për Informim Publik për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Gjatë kësaj mbledhjeje KQZ miratoi zëvëndësimet e tetë (8) anëtarëve të Kuvendeve Komunale nga subjekte të ndryshme politike.