2 korriku moment i rëndësishëm në historinë tonë
Prishtinë, 2 korrik - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar se në këtë ditë, 25 vite më parë, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, nxorën deklaratën kushtetuese.
\"Sot, kemi nderin ti kemi këtu në Kuvendin e Kosovës të Lirë dhe të Pavarur, dhe njëkohësisht, të shprehim nderim për ata delegatë që tash nuk janë në mesin tonë.Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 përbën një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX\", ka theksuar ai.
Sipas tij Kjo lëvizje kishte filluar me demonstratat e vitit 1968,ishte rritur në aktivitetet e organizatave patriotike ilegale të asaj kohe, kishte shpërthyer vrullshëm në pranverën studentore të vitit 1981, për të vazhduar me demonstratat e fuqishme të vitit 88, 89, 90. Ishte një përballje e madhe me nacionalizmin agresiv serb.
Në epiqendër të kësaj përballje ishte trashëgimia e rendit kushtetues të vitit 1974.
Sipas tij Serbia kërkonte më pak se 74-shi. Lëvizja jonë kombëtare synonte më shumë. Shqiptarët nuk mund të mashtroheshin me masa gjysmake ekonomike dhe politike. Duhej dhënë fund diskriminimi kombëtar që shqiptarëve u bëhej në të gjitha nivelet e sistemit jugosllav.
Sipas Veselit Barazi ose shkëputje - Ky ishte vullneti politik i asaj kohe. Në vitin 1989 Serbia përmes dhunës policore ndërmori agresionin kushtetues ndaj Kosovës. Përmes këtij agresioni Kosovës iu hoqën të drejtat kushtetuese të vitit 1974.
Ai ka deklaruar 1 vit më pas delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullneti politik i kohës i qytetarëve, Përmes deklaratës kushtetuese anuluan agresionin kushtetues të Serbisë të marsit 89 dhe njëkohësisht avancuan shumë të drejtat kushtetuese të Kosovës.
Kosova bëhej subjekt i barabartë politik me republikat tjera të ish Jugosllavisë. Ishte një veprim i duhur dhe në momentin e duhur. Jugosllavia komuniste nuk kishte gjasa për të mbijetuar dhe duke aneksuar Kosovën, Serbia synonte që në shpërbërjen e Jugosllavisë Kosova të mos figuronte fare si çështje ndërkombëtare.
Sipas tij Kësisoj Serbia synonte të shkatërronte bazën legale të së drejtës së Kosovës për shkëputje. Përkundër kësaj Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte avancim i kësaj baze legale. Ishte një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kjo do të thoshte se Kosova nuk mund të trajtohej si çështje e brendshme e Serbisë.
\"Ëndrra jugosllave kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Fitorja jonë e parë e madhe është pikërisht fitorja në luftën për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe lëvizja civile e viteve 90 kanë meritat e mëdha në këtë fitore.Ato ishin një ndihmesë e madhe kur erdhi momenti i madh, dita e madhe e fillimit të kryengritjes së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës\", ka theksuar ai.
Kur ne rrokëm armët, tanimë bota e kishte të qartë se këtë po e bënim për një kauzë të madhe, kauzën e lirisë. Kjo na solli përkrahjen politike dhe ushtarake të botës demokratike.
\"Me 1999 ne nuk fituam vetëm lirinë, por fituam edhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë, në anën e demokracive perëndimore.Falë këtij rreshtimi ne ecëm më tutje, bëmë Kosovën shtet të pavarur dhe tani po e konsolidojmë këtë shtet për ta bërë të gatshëm për integrimet euro-atlantike.Prandaj për ne ky rreshtim është dhe do të mbetet vlerë e pacenueshme kombëtare. Ne besojmë në këtë vlerë. Ne besojmë në partneritetin me botën perëndimore, si e vetmja rrugë për ti zgjidhur problemet dhe tejkaluar sfidat e shtet ndërtimit dhe integrimit\", ka theksuar ai.