160,000 votues pritet të votojnë ndryshe
Prishtinë, 4 qershor - Përmbi 160,000 votues kosovarë projektohet së do të ndryshojnë votën e tyre në zgjedhjet parlamentare, sipas një sondazhi të organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Kolegji Universum, përkrahur Friedrich Ebert Stiftung (FES).
Çdo i pesti i anketuar në këtë anketë kanë deklaruar se do të votojnë ndryshe nga zgjedhjet e kaluara.
Arsyet pse qytetarët do ta ndërrojnë partinë për të cilën kanë votuar janë mosmbajtja e premtimeve dhe përfshirja në afera korruptive. 17% të të anketuarve akoma janë të pavendosur rreth asaj se a do ta ndërrojnë votën e tyre apo jo. Këto të dhëna janë një tregues i qartë se skena politike në Kosovë do ballafaqohet me një ndryshim të konsiderueshëm të fuqisë së subjekteve politike, një trend i cili është vënë re gjatë zgjedhjeve komunale të vitit 2013.
78.1% të të anketuarve kanë raportuar se kanë ndërmend të dalin në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen me 8 qershor 2014, ndërkohë që 11.1% tregojnë që akoma nuk kanë vendosur.
10% të të anketuarve kanë thënë se nuk do të dalin në votime. Nga këta të fundit, shumica absolute kanë dhënë zhgënjimin me ofertat e partive dhe mosbesimin në ndryshim si arsye të mospjesëmarrjes në procesin zgjedhor. Përqindja e lartë e të të anketuarve që kanë thënë se kanë ndërmend të votojnë, vë në pah problemet e shumta me listat e votuesve në Kosovë, për të cilat është raportuar vazhdimisht.
Një nga të gjeturat më shqetësuese të anketës është se shumica e të anketuarve nuk u besojnë premtimeve të partive politike për krijimin e qindra mijërave vende të reja të punës; 90% të personave që nuk u besojnë premtimeve thonë se nuk ka zhvillim të mjaftueshëm ekonomik për të hapur këto vende të punës. Të njëjtit besojnë që partitë politike do të punësojnë vetëm militantët apo familjarët e tyre.
Anketa, e organizuar në tërë Kosovën, është mbajtur nga stafi i trajnuar i Kolegjit Universum, ndërsa të dhënat janë analizuar nga INDEP. FES ka mbështetur financiarisht realizimin e kësaj ankete, e cila ka për qëllim analizën e motivimit të votuesve në Kosovë për politika publike, pa paragjykuar ndaj preferencave të tyre partiake.
Gjithsej, 957 persona i janë përgjigjur pyetësorit. Numri i të anketuarve është ndarë proporcionalisht sipas popullatës të secilës komunë në Kosovë ndërsa mostra, e përzgjedhur me respondentë të rastit, është bazuar në të dhëna të sakta demografike. 65% të të anketuarve janë nga mosha 21-50 vjeçare, ndërkohë që shpërndarja gjinore ka qenë thuajse e barabartë. 45.6% e të anketuarve janë të punësuar, 14.6% të papunë, ndërkohë që 26.9% prej tyre janë studentë. 64% e tyre kanë të ardhura nga 201 deri në 600 euro në muaj, ndërkohë që 84.8% kanë arsim të mesëm ose më lartë.
Këto janë të dhënat e para të anketës, ndërkohë që gjetjet tjera sa i përket fushave të ndryshme të politikës publike dhe pritjeve të qytetarëve do të botohen gjatë ditëve në vijim.
Instituti INDEP është institut kërkimor dhe qendër e avokimit më ndikim të lartë në politikat publike. Kolegji Universum është institucion i akredituar i arsimit të lartë në Kosovë, lider në hulumtimet e opinionit publik. Friedrich Ebert Stiftung është fondacion gjerman që promovon socialdemokracinë.