15 Shtatori, Dita Ndërkombëtare të Demokracisë
Prishtinë, 26 gusht - Në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim znj.Laura Nichols, drejtore e NDI-së.
Duke i uruar mirëseardhje drejtores Nichols, kryeparlamentari Krasniqi e falënderoi atë për mbështetjen që NDI-ja i ka dhënë Kosovës, e në veçanti Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Duke iu referuar deklaratës së Unionit Interparlamentar për festimin e Ditës së demokracisë dhe rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila obligon parlamentet e shteteve për shënimin e Ditës së demokracisë, Krasniqi njoftoi znj. Nichols se edhe Kuvendi i Kosovës do të shënojë këtë ditë më 15 shtator.
Me mbështetjen dhe përkrahjen e NDI-së, Kuvendi i Kosovës merr rolin dhe përgjegjësinë e tij për të shënuar Ditën e demokracisë, tha kreu i Kuvendit.
Më tej Krasniqi shtoi se Kuvendi duhet të jetë i hapur për të gjithë qytetarët, për shoqërinë civile, nxënës e studentë që dëshirojnë të njihen me punën e Kuvendit dhe të arriturat që janë bërë në zhvillimin e demokracisë në Kosovë.
Znj. Nichols, duke falënderuar kryetarin Krasniqi tha se ndjehet e lumtur dhe mirënjohëse për pritjen që i është bërë nga kryetari Krasniqi. NDI-ja, sikurse deri tash, edhe në të ardhmen do të mbështesë punën dhe zhvillimin e demokracisë në Kuvendin e Kosovës, tha Nichols.