14 vjet nga bombardimet e NATO-s
Prishtinë, 24 mars - Sot shënohet 14 vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-s, mbi caqet ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe 15 vjetori i fillimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Dukagjinit, e njohur ndryshe Epopeja e Dukagjinit.
14 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, e cila i dha fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve.
Fushata 78 ditore e NATO-s arriti rezultate të shumta politike, diplomatike dhe ushtarake. Ajo rezultoi me ndërprerjen e katastrofës humanitare dhe kapitulimin e forcave të Millosheviqit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, miratimin e Rezolutës 1244 të KS të OKB, tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe futjen e trupave të KFOR-it.
24 marsi i vitit 1999 shënon një fillim te ri të historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësimit të saj.
Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, më mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës. Këtë vit më 17 shkurt, Kosova ka shënuar 5-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe është njohur nga 99 shtete të botës.
Epopeja e Dukagjinit
Komuna e Deçanit nëpërmjet një njoftimi për medie, ka bërë të ditur agjendën me rastin e 14 vjetorit, fillimit të bombardimeve të NATO-së mbi caqet serbe në Kosovë dhe për vjetorin jubilar të Ditës së fillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare në Dukagjin Epopeja e Dukagjinit.
Ditën e dielën më 24 mars 2013, nën patronatin e Komunës së Deçanit, për nder të 24 marsit Jubilarë 15 vjetorit të Ditës së fillimit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare në Dukagjin, Ditës së Dëshmorëve të kësaj Zone dhe 14 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s, mbi caqet serbe, në Kompleksin Memorial në Gllogjan, do të mbahen organizimet siç vijon:
- Nga ora 10:00, homazhe në kompleksin memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.
- Në ora 12:00, manifestimi qendror Epopeja e Dukagjinit, në të cilin do të paraqiten kryeprotagonistët e luftës sonë çlirimtare më përfaqësueses institucional për tu pasuar me emra të mirënjohur të estradës gjithëshqiptare.
Për nder të kësaj date historike, organizimeve qendrore do tu paraprihet me aktivitete të shumta kulturo-sportive!, është thënë në njoftimin e komunës së Deçanit.