11 vite nga dialogu Kosovë-Serbi, nevojitet arritja e një marrëveshje finale
Prishtinë, 10 mars - Platforma e Shoqërisë Civile për Dialogun ka bërë të ditur se po vazhdon të përcjellë nga afër procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke rikujtuar që kanë kaluar 11 vjet që nga fillimi i këtij procesi me 8 dhe 9 mars të vitit 2011.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 9 shtator 2010, miratoi rezolutën e cila i hapi rrugë fillimit të dialogut Kosovë - Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, me mandat të promovimit të bashkëpunimit, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe progresin e të dyja vendeve në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Që nga fillimi i dialogut para 11 viteve deri më tani janë arritur mbi 35 marrëveshje për tema të ndryshme.
Platforma e Shoqërisë Civile për Dialogun thekson se pas kaq viteve nuk është arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme, ashtu siç kërkohet dhe është kushtëzuar përfundimi i këtij dialogu nga Bashkimi Evropian.
"Nuk ka dyshim se arritja e kësaj marrëveshje pikë së pari varet nga vullneti politik dhe përkushtimi i të dyja vendeve, si dhe nga angazhimi dhe koordinimi në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës."
"Duke theksuar faktin që dialogu mbetet alternativa e vetme për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe integrimin e tyre evropian, është e domosdoshme që ato sa më shpejtë t’i kthehen tavolinës së bisedimeve me vullnet të plotë politik për të arritur marrëveshjen në fjalë, ndikimi i së cilës nuk do të kufizohej vetëm në normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, por do të kishte efekt stabilizues dhe rritje të sigurisë në Ballkan, sidomos në rrethanat aktuale pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës", thekson Platforma e Shoqërisë Civile për Dialogun.
Në fund, duhet nënvizuar se elemente të rëndësishme që kanë ndikim madhor në suksesin e këtij procesi negociator mbesin konsensusi i brendshëm politik e shoqëror si dhe transparenca dhe llogaridhënia politike, të cilat nuk janë adresuar si duhet nga qeveritë e Kosovës që nga fillimi i dialogut 11 vite më parë.