Zyra Kombëtare e Auditimit e pavarur, objektive dhe cilësore
Prishtinë, 28 qershor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka demantuar në tërësi deklaratat lidhur me pretendimet për ndërhyrjen në punën audituese të Zyrës Kombëtare të Auditimit të publikuara nga Insajderi në artikullin “Vlojnë denoncimet për skandale - si u bë që Auditori i Jashtëm ta kursejë Fondin e Sigurimeve” dhe të transmetuara në emisionin InDoks “Fondi i dallavereve – Rrëfimi ekskluziv i sinjalizuesit Alban Pozhegu”.
Lidhur me këto deklarata, njoftojmë publikun se zyrtari në fjalë, Valbon Bytyqi, nuk është i punësuar në Zyrën Kombëtare të Auditimit, ai ka lëshuar punën në ZKA në vitin 2018 dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur asnjë lloj angazhimi me ZKA-në.
Auditori i Përgjithshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar i shtetit i rregulluar më Kushtetutë dhe Legjislacionin tjetër përkatës.
Procesi i auditimit zhvillohet tërësisht i bazuar në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit për Institucionet Supreme të Auditimit, Kodin etik dhe praktikat më të mira të njohura ndërkombëtarisht.
Në bazë të tyre dhe mekanizmave rigoroz të kontrolleve të shumëfishta të ndërtuara në ZKA, në plotni sigurohet punë e pavarur, objektive dhe cilësore e auditimit duke përjashtuar çdo ndërhyrje nga cilado palë e jashtme apo e brendshme.