05 Dhjetor 2024

BQK po punon në avancimin e rregullave për vlerësimin e pronave të paluajtshme

Prishtinë, 28 tetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i kushton një rëndësi të veçantë vlerësimit të pronave të paluajtshme nga sektori financiar, tha Guvernatori Ahmet Ismaili në forumin "Vlera e përafërt e tregut dhe çmimet e shitblerjes së pronave të paluajtshme".

Guvernatori Ismaili në fjalën hyrëse të këtij forumi, i organizuar nga USAID dhe nga Këshilli Mbikëqyrës për Licencimin e Vlerësuesve të pronave të paluajtshme në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, theksoi se BQK-ja është e përkushtuar që të avancojë edhe më tutje kornizën rregullative në Republikën e Kosovës.

"Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i kushton një rëndësi të veçantë vlerësimit të pronave të paluajtshme nga sektori financiar, edhe përmes një kuadëri rregullativ gjithëpërfshirës që ndërlidhet me disa aspekte të këtij sektori. Andaj, BQK-ja ka rregulluar vlerësimin e pronave të paluajtshme përmes rregulativës specifike që aplikohet për bankat, institucionet tjera kredidhënëse dhe siguruesit që mbështeten në pasuritë e paluajtshme si kolateral për çfarëdo qëllimi", theksoi Guvernatori Ismaili në fjalën hyrëse të këtij forumi.

"BQK-ja është e përkushtuar që të avancojë edhe më tutje kornizën rregullative dhe mbikëqyrëse lidhur me vlerësimin e pronave të paluajtshme. Presim që përmes këtij Projekti të mbështetur nga USAID-i të arrijmë të avancojmë kornizën ekzistuese ligjore dhe rregullative të vlerësimit të pronave të paluajtshme, përfshirë vendosjen e mekanizmave të nevojshëm të kontrollit të cilësisë së vlerësimeve dhe monitorimit adekuat të vlerësuesve", shtoi Guvernatori Ismaili.
 
Sipas Guvernatorit Ismaili, vlerësimi i pronave të paluajtshme ka ndikim të rëndësishëm në paraqitjen e gjendjes reale të pasqyrave financiare, të treguesve të shëndetshmërisë së institucioneve financiare, të vlerës së ekspozimeve, paraqitjen e duhur të çështjeve që lidhen me fushën e formalizimit të ekonomisë e parandalimit të pastrimit të parave dhe paraqitjen e drejtë të detyrimeve tatimore.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili ka potencuar se do të shikohet mundësia që kolaterali i Pronave të Paluajtshme Komerciale të peshohet më pak në Asetet e Peshuara me Rrezik.

"Vlerësimi i pronave ndikon potencialisht në alokimin e kapitalit nëpërmjet Aseteve të Peshuara me Rrezik, për kreditë që janë të kolateralizuara me patundshmëri. Pasi të kemi arritur të kemi këtë proces të finalizuar, do të shikojmë mundësinë edhe t'i konsiderojmë kolateralin e Pronave të Paluajtshme Komerciale, të peshohen me një peshë më të vogël në Asetet e Peshuara me Rrezik", ka potencuar Guvernatori Ismaili.

I pari i BQK-së, tregoi se institucioni më i lartë financiar në Republikën e Kosovës bashkëpunon ngushtë me Këshillin Mbikëqyrës për Licencimin e Vlerësuesve të pronave të paluajtshme.

"Përveç licencimit nga ky Këshill të një numri te vlerësuesve të pronave të paluajtshme të cilët kryejnë vlerësimet edhe për nevojat e sektorit financiar, edhe BQK-ja ka licencuar edhe një numër të personelit të saj të angazhuar për ekzaminimin e institucioneve financiare, të cilët vlerësojnë raportet e përgatitura nga vlerësuesit e angazhuar për institucionet financiare", tregoi i pari i BQK-së.

Në këtë forum, Guvernatori Ismaili u shpreh se BQK është duke mbështetur Programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për përgatitjen e Indeksit të Çmimeve të Pronave të Paluajtshme Rezidenciale.

"Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, përmes përfshirjes në Grupin Punues Ndërinstitucional, në kuadër të programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar është përfshirë në përgatitjen e Indeksit të Çmimeve të Pronave të Paluajtshme Rezidenciale, projekt i cili është duke u udhëhequr nga Agjencia e Statistikave të Kosovës", është shprehur Guvernatori Ismaili.

Në përmbyllje të fjalimit, Guvernatori Ismaili tha se BQK pret që vlerësimi i pronave të paluajtshme të realizohet sipas rregulloreve në fuqi dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

"Presim që këto ndryshime të ndikojnë direkt edhe te bankat dhe institucionet tjera financiare që të zbatojnë drejtë kërkesat rregullative të aplikueshme, si dhe të avancojnë politikat dhe procedurat e tyre lidhur me vlerësimin e pronave të paluajtshme, në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e Bashkimit Evropian, të njohura si Standardet TEGOV", përfundoi Guvernatori Ismaili.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)