26 Dhjetor 2024

Zyra e Auditimit të Suedisë dhe e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë, 18 dhjetor - Në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm shumëvjeçar, Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë dhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës kanë avancuar sot bashkëpunimin bilateral me nënshkrimin e memorandumit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”.

Memorandumi i bashkëpunimit, i nënshkruar nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, Helena Lindberg, ka për qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve organizative të ZKA-së që promovojnë punë me cilësi të lartë, si dhe forcimin e kapacitetit për të përgatitur raporte të auditimit të performancës me cilësi të lartë dhe të dobishme për shoqërinë.   

Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, tha: “Mundësia për të marrë përvojat suedeze është një rast unik për të përfituar dije dhe ngritur kapacitetet tona në fushën e auditimit të performancës dhe në modernizimin e organizimit institucional të ZKA-së.

Kjo ndihmë që vjen nga taksapaguesit suedez, të cilëve u jemi pafundësisht mirënjohës dhe falënderues, si dhe angazhimi i personelit dhe ekspertëve të ISA-së suedeze na inkurajon drejt sukseseve të reja.

Do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar që të maksimizojmë përfitimin nga ky projekt dhe të ecim krah për krah me Institucionet Supreme të Auditimit në Evropë për sa i përket modernizimit të proceseve dhe kryerjes së auditimeve cilësore”.  

Në anën tjetër, Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, Helena Lindberg, tha: “Jam shumë e lumtur që vazhdojmë tutje këtë bashkëpunim mes zyrave tona.''

''Ky vërtetë është një bashkëpunim mes kolegësh, ku stafi i të dyja organizatave tona mësojnë nga njëri-tjetri. Dëshiroj të përgëzoj kolegun tim Osmani për anëtarësimin e ZKA-së së Kosovës në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Pres me padurim që të kemi bashkëpunime me ZKA-në e Kosovës në forumet evropiane të EUROSAI-t dhe në forumet botërore të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ”.    

Memorandumi “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” është hartuar në përputhje me planet dhe objektivat stategjike të ZKA-së, qëllimi afatgjatë i të cilit është të mbështesë ZKA-në e Kosovës për t’u bërë një Institucion Suprem Auditmi që punon në pajtim standardet dhe parimet e INTOSAI-t (IFPP).

Ky projekt i ka të përcaktuara dy objektiva,  të cilat janë: forcimi i disa proceseve organizative për nxitjen e një pune me cilësi të lartë dhe zhvillimi i kapaciteteve për hartimin e raporteve të auditimit të performancës me cilësi më të lartë, të cilat janë të dobishme për palët relevante të interesit.

Pas nënshkrimit të memorandumit, Komiteti Drejtues i Projektit për bashkëpunim, i përbërë nga përfaqësues të ZKA-së Suedeze dhe ZKA-së së Kosovës, mbajtën mbledhjen e rregullt vjetore.

Përfaqësuesit e të dyja institucioneve supreme të auditimit diskutuan për nivelin e zbatimit të planit të aktiviteteve për vitin 2020, të arriturat dhe sfidat e projektit si dhe për rezultatet që priten nga marrëveshja e re.

Partneriteti mes ZKA-së të Suedisë dhe asaj të Kosovës daton që nga viti 2011, kur është arritur Marrëveshja e Bashkëpunimit për zhvillimin e kapaciteteve, përmes së cilës ZKA-së së Kosovës i ofrohej mbështetje për të përmbushur mandatin e saj dhe për t`u bërë një institucion i qëndrueshëm suprem i auditimit, i cili vepron në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Ky ka qenë projekti më gjithëpërfshirës zhvillimor i zbatuar në ZKA.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)