17 Nëntor 2024

Zvogëlohet shkalla e ekonomisë joformale

Prishtinë, 4 dhjetor -  Shkalla e ekonomisë joformale në Kosovë ka shënuar rënie u vlerësua në konferencën kushtuar parandalimit të ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve financiare, organizuar nga Ministria e Financave dhe projekti “Mbështetje institucionale Kosovës në luftimin e krimit financiar dhe ekonomik”, të cilin e ka financuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ministri i Financave Besim Beqaj ka theksuar se luftimi dhe parandalimi i ekonomisë jo-formale mbetet njëri nga synimet dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Shkalla e ekonomisë joformale në Kosovë ka shënuar rënie në periudhën 2007-2014. Sipas metodologjisë së shfrytëzuar në vitin 2007, ku nuk janë marr parasysh remintencat ka shënuar rënie nga 34.75% në afërsisht 31%, të BPV-së, ndërsa sipas metodologjisë të zbatuar më 2014 kur janë marrë parasysh edhe remintencat vërejmë ulje nga 51% në 38.21%, dhe  kjo shkallë është e përafërt me vendet e rajonit. Luftimi dhe parandalimi i ekonomisë jo-formale sidoqoftë mbetet njëri nga synimet dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Ministri Beqaj.

Ministri i Financave ka theksuar se Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale e bazuar në konkurrencën fer dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit në treg.

“Modeli ynë i zhvillimit ekonomik mbështetet edhe në nxitjen e rritjes së produktivitetit përmes konkurrencës në një ambient të barabartë, andaj luftimi dhe parandalimi i ekonomisë joformale paraqet detyrë dhe përgjegjësi për të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që në vazhdimësi të fuqizohen  procedurat dhe metodat efektive për të parandaluar dhe reduktuar ekonominë joformale”, tha Ministri Beqaj.

Ai vlerësoi se ekonomia joformale është fenomen i dëmshëm që ku më shumë e ku më pak është e pranishme anembanë botës. Parandalimi i ekonomisë joformale përfshirë edhe parandalimin e korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë janë të lidhura drejtpërdrejtë me Prioritetet e Politikës Qeveritare.

Ministri i Financave tha se me kërkesë të Ministrisë së Financave, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka financuar vlerësimin e shkallës së ekonomisë jo-formale në Kosovë 2014, i cili është realizuar nga Projekti “Mbështetje institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit financiar dhe ekonomik” rezultatet e të cilit do të prezantohen në këtë konferencë.

“Ky vlerësim tregon situatën reale sa i përket shkallës së ekonomisë jo-formale në Kosovë, e gjithashtu, tregon se shkalla e ekonomisë jo-formale nga vlerësimi i fundit në vitin 2007 ka rënë nëse merren për bazë të njëjtit indikator dhe e njëjta metodologji”, tha Ministri Beqaj.

Qeveria e Republikës së Kosovës në fillim të këtij viti ka miratuar Strategjinë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare për periudhën 2014-2018, tha Ministri Beqaj dhe theksoi se kjo strategji është pasuar edhe nga plani i veprimit i cili adreson 6 objektivat strategjike: Ngritja e vetëdijes për ndikimet dhe parandalimin e ekonomisë joformale dhe krimeve financiare; Forcimi i parandalimit dhe luftës kundër ekonomisë joformale dhe krimit financiar duke rritur transparencën, përgjegjshmërinë, qeverisjen e mirë dhe partneritetin shoqëror; Promovimi i procedurave të inteligjencës, hetimit, prokurorisë, gjykatave dhe procedurat për parandalimin e  pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare; Forcimi i kapacitetit të institucioneve përkatëse; Zhvillimi dhe aplikimi i një qasjeje pro aktive për bashkëpunimin ndërkombëtar sa i përket parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare; Zhvillimi i legjislacionit kombëtar për të qenë në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare dhe për të siguruar zbatimin e efikas të tij.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është në proces të përditësimit të aktiviteteve në planin e veprimit, me qëllim të përfshirjes së masave të reja dhe adekuate të cilat do të kontribuonin në arritjen e objektivave strategjike drejt luftimit dhe zvogëlimit të shkallës së ekonomisë jo-formale, krimeve ekonomike dhe financiare dhe financimit të terrorizmit. Jemi të vetëdijshëm që si institucione na pret  rrugë e gjatë  drejt luftimit të parandalimit të informalitetit. Duke e përcjell dhe njohur sa më shumë  informalitetin, ne mund të gjejmë mënyrat më efikase dhe adekuate për ta luftuar atë. Në këtë drejtim jemi shumë të përkushtuar dhe të vendosur që si Qeveri të bëjmë maksimumin në luftimin e ekonomisë jo formale dhe të dukurive tjera negative në ekonominë tonë”, përfundoi Ministri Beqaj.

Udhëheqësi i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Christof Stock ka vlerësuar se Zyra e BE-së në Kosovë, përmes ndihmës së saj, ka përkrahur institucionet e Kosovës në luftën e tyre kundër krimit financiar dhe ekonomik.

“Në të vërtetë sot jemi dëshmitarë të rezultateve të përpjekjeve, vendosmërisë dhe angazhimeve tona të përbashkëta. Por, ka ende disa shifra negative. Por, pa asnjë dyshim se me bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm dhe me vendosmëri, ne mund të luftojmë këto shifra negative. Ne mund të ulim edhe më tej normat e ekonomisë joformale dhe ekonomisë së zezë në Kosovë. Ne mund të rrisim shkallën e konfiskimeve dhe t\'u shkaktojmë dhimbje të vërtetë kriminelëve në Kosovë”, tha zoti Stock.

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu ka vlerësuar se përkundër shume sfidave me të cilat është ballafaquar dhe akoma ballafaqohet sistemi gjyqësor definitivisht viti 2014 ka qenë vit i frytshëm në fushën e sekuestrimeve dhe se janë sekuestruar prona në vlerë prej më shumë se 27 milionë euro, gjë që paraqet indikacion të qartë të vendosmërisë së organeve gjyqësore në Kosovë që të luftohet krimi në mënyrë sa më të gjithanshme.

“Në periudhën janar-qershor të këtij viti janë sekuestruar dhe janë ngrirë pasuri në vlerë prej 27.895.162 euro. Në mesin e tyre janë 7 shtëpi, 17 banesa, 2 objekte ndërtimore, një motel, 9 vetura, 6 lokale afariste, 387.782 metra katror të paluajtshmërisë, pajisje të lojërave të fatit, makineri e ndryshme, fabrika Fan, Klinika Medicus, një restorant i papërfunduar, një vilë në Ulqin dhe të tjera”, tha Fazliu.

Ajo që mund të premtojmë është intensifikimi akoma më i madh i luftës kundër krimit ekonomik por edhe të gjitha krimeve tjera që gjenerojnë përfitime materiale, tha Fazliu.

Ai theksoi se gjate këtij viti Policia e Kosove ka filluar hetimin e 1.618 rasteve, Dogana 80 rasteve dhe ATK 16 raste.

Ai ka vlerësuar se vetëm gjatë 6 muajve të këtij viti nga gjykatat janë shqiptuar dënimet për krime ekonomike në 1309 raste, krahasuar me 1296 raste gjatë tërë vitit 2013.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)