Zvicrra e gatshme për ta mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës
Prishtinë, 13 janar - Ministri i Financave Avdullah Hoti, priti sot në takim njoftues ambasadoren e Zvicrës në Kosovë Krystyna Marty Lang.
Ministri Hoti gjatë takimit e falënderoi ambasadoren Marty Lang për punën, kontributin si dhe për bashkëpunimin e saj të ngushtë me institucionet e Kosovës, në veçanti me Ministrinë e Financave dhe shprehi bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Gjatë takimit Ministri Hoti e njoftoi ambasadoren Marty Lang për gjendjen financiare të vendit, përkushtimin e Qeverisë për krijimin e kushteve më të mira për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë si dhe për përkushtimin e Ministrisë së Financave në luftimin e ekonomisë joformale.
Ndërsa, ambasadorja zvicerane, Krystyna Marty Lang, uroi Ministrin Hoti për pozitën e re dhe njëherit shprehi gatishmërinë e shtetit të saj për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.