Zvicra shfuqizon sekretin bankar
Bernë, 11 shtator - Në luftën kundër evazionit fiskal, Parlamenti i Zvicrës miratoi zbatimin e një ligji amerikan, me të cilin de facto shfuqizohet sekreti bankar.
Këshilli Kombëtar në Bernë, votoi me shumicë të qartë përcjelljen pothuajse të plotë të të dhënave fiskale Shteteve të Bashkuara: për të ashtuquajturin ligji FACTA votuan 112 deputetë, 51 votuan kundër dhe 21 parlamentarë abstenuan.
Sipas marrëveshjes FACTA ("Foreign Account Tax Compliance Act"), të dhënat për llogaritë nuk mund të përcillen automatikisht por vetëm me miratimin e klientit. Por nëse klienti e refuzon këtë, këmbimi i të dhënave është megjithatë i mundur në bazë të një marrëveshjeje ekzistuese për tatimin e dyfishtë.
Kërcënim për përjashtim nga tregu amerikan i kapitalit
Masat e kontestuara do të hyjnë në fuqi në korrik 2014, bëri të ditur agjencia zviceriane e lajmeve SDA. Bankat zviceriane të cilat më parë kanë pranuar miliarda nga pasuri të padeklaruara të qytetarëve amerikanë, kërcënohen të përjashtohen nga tregu amerikan i kapitalit nëse nuk kooperojnë.
Masat prekin llogari bankare aktuale dhe të ardhme të shtetasve amerikanë në Zvicër. Pak kohë më parë të dy vendet ranë dakord për trajtimin e pasurisë së patatuar nga e kaluara. Sipas marrëveshjes bankar zviceriane mund të shmangin pasojat me anë të pagimit të gjobave.
Në Zvicër pati qendresë kundër FACTA-s si nga kampi i djathtë ashtu edhe ai i majtë.
Partia Popullore Zviceriane nacional-konservatore (SVP) dështoi me kërkesën e saj për të mos e trajtuar aspak projektligjin, pasi një adoptim i të drejtës fiskale të huaj nuk ishte i pranueshëm.
Po kështu u kundërshtua edhe një kërkesë e të gjelbërve, të cilët në vend të FACTA-s synojnë një model me këmbim të plotë automatik të informacionit.