Zvicra nuk e vazhdon marrëveshjen për sigurim social me Kosovën
Bern, 25 mars - Qeveria e Zvicrës ka vendosur që të mos e ripërtërijë marrëveshjen për sigurimin social me Kosovën, e cila skadon më 1 prill.
Në këtë mënyrë, do të jetë i goditur një numër i madh i 170 mijë njerëzve nga Kosova, që punojnë në Zvicër, thotë sindikata më e madhe zvicerane UNIA, në faqen e saj në internet.
Sipas njoftimit të sindikatës, vendimi i Qeverisë së Zvicrës, që pa negociata dhe pa paralajmërim të mos e vazhdojë marrëveshjen për sigurim social, do të thotë se njerëzit nga Kosova, pensionin invalidor mund ta marrin vetëm nëse mbesin të jetojnë në Zvicër. Nëse kthehen në Kosovë, e humbin të drejtën për pension.
Vendimin e tyre për mos ripërtëritjen e marrëveshjes, autoritetet e Zvicrës e kanë arsyetuar me vështirësitë për vërtetimin e gjendjes shëndetësore të atyre që e marrin pensionin invalidor të Zvicrës, e jetojnë në Kosovë.
Sindikata më e madhe zvicerane, UNIA, konsideron se këto vështirësi, nëse me të vërtetë ekzistojnë, nuk mund ta arsyetojnë diskriminimin e dhjetëra mijëra njerëzve nga Kosova, të punësuar në Zvicër, dhe të familjeve të tyre.
Sindikata kërkon që Qeveria e Zvicrës përsëri ta nënshkruajë marrëveshjen për sigurimin social me Kosovën.