Zvicra, ekonomia më konkurruese në botë
Gjenevë, 5 shtator - Forumi Ekonomik Botëror tha në një raport të ri se Zvicra e vogël mbetet ekonomia më konkurruese në botë.
Raporti thotë se vendet tjera evropiane po ngelin prapa, dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu po rrëshqasin në këtë drejtim.
Raporti vjetor mbi Konkurrueshmërinë Globale, që bazohet në të dhënat publike dhe anketat e udhëheqësve të biznesit, thotë se Greqia e shkatërruar nga borxhi ka rënë për gjashtë vende, dhe tash gjendet në vendin e 96-të, pas Ekuadorit e Mongolisë, në renditjen e 144 vendeve.
Raporti thotë se ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten lidere në botë për inovacione, konkurrenca e përgjithshme për to ka rënë për të katërtin vit me radhë, duke rënë në vendin e shtatë.
Raporti thotë se Franca ka humbur gjithashtu terren, duke rënë në vendin e 21-të.
Mes fuqive në zhvillim, Kina renditet më së larti, e 29-ta.