Zvicra e gatshme për vazhdimin e projekteve të përbashkëta me Kosovën
Prishtinë, 5 tetor - Ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka pritur në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë Thomas Kolly, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ndërshtetëror ndërmjet dy vendeve në projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.
Ministrja Bajrami e përgëzoi Ambasadorin Kolly për detyrën e re në krye të misionit diplomatik të Zvicrës në Kosovë dhe njëkohësisht shprehu falënderimin e saj për mbështetjen që ka dhënë dhe vazhdon të jap shteti zviceran për Kosovën.
Ajo e informoi Kolly për punën e Qeverisë Hoti në adresimin e sfidave socio-ekonomike të krijuara nga pandemia.
Ambasadori zviceran Thomas Kolly e falënderoi Ministren Bajrami për pritjen dhe shprehi gatishmërinë e tij dhe përkushtimin e shtetit zviceran për rritjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave si dhe për vazhdimin e projekteve të përbashkëta.