Zviceranët janë populli më i pasur i botës
Bernë, 24 shtator - Kompania e sigurimeve Allianz publikon çdo vit raportin global mbi pasurinë - Global Wealth Report.
Këtë vit mund të merret vesh se zviceranët janë populli më i pasur i botës, ndërsa shuma e parave të fituara në 52 vendet studiuara - në vitin e kaluar - ishte jo më pak se 103.3 bilionë euro.
Analistët dhe ekspertët ekonomikë, Kathrin Brandmeier, Michael Grimm, Michael Heise, Arne Holzhausen dhe Gabriele Steck - autorë të raportit - nuk e kanë pas punën e lehtë.
Ata është dashtë ti marrin të dhënat e PBB-së nga 52 shtete për të ardhur deri te rezultatet se kush janë më të pasurit. Mirëpo, përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është për t\'u habitur: zviceranët!
Ata kanë mundur të mburren me të ardhurat neto për frymë në vitin e kaluar, që ishin 138 mijë euro, derisa në vendin e dytë ishin japonezët me 93 mijë euro. Fjala është për shumën mesatare të parave për kokë banori, dhe kjo pasi u zbriten borxhet.
Pasuria private e botës në vitin 2011 është rritur me 1.6 për qind, që është dukshëm më pak se në vitet e mëparshme, kur rritja ishte rreth 7 për qind. Arsyeja për këtë është inflacioni në rritje, thonë nga Allianz.
Një arsye shtesë për një akumulim më të vogël të pasurisë private ishte edhe kriza e madhe financiare dhe e euros, si dhe popullata në rritje e Tokës. Ndërsa, këtu nuk ndihmojnë as normat e interesit që janë ende shumë të ulëta, prandaj kursimet nuk kanë më vlerë të njëjtë si më parë.
Pavarësisht situatës së keqe ekonomike, Shtetet e Bashkuara janë në listën e tretë të Allianzës për pasurisë private, ndërsa në vendin e katërt është Belgjika (86 mijë).
Pas saj vijnë: Holanda, Tajvani, Kanadaja, Singapori, Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli. Lista e njëzetëshes e përmbushin po ashtu vendet evropiane, si: Danimarka (49 mijë), Italia, Franca, Suedia, Austria, Gjermania etj.
Raporti tregon se pasuri në botë ka, por është çështje se si pasuria ndahet dhe nëse ndahet mes njerëzve.