19 Nëntor 2024

Zv.Guvernatori i BQK-së në konflikt të mundshëm interesi

Prishtinë, 7 tetor - Fatmir Gashi që për njëmbëdhjetë vjet ka punuar në biznesin e kompanive të sigurimeve, është bërë zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës ku tash pritet t’i mbikëqyrë bankat dhe kompanitë e sigurimeve.

Ai njëkohësisht udhëheq Këshillin e Kosovës për Raportim Financar, organin kryesor që mbikëqyr kompanitë e auditimit në Kosovë. Mbajtja e dy pozitave mund ta vëjë atë në konflikt të mundshëm interesi.

Zëvendësguvernatori aktual i Bankës Qendrore të Kosovës Fatmir Gashi, i emëruar më 1 gusht 2013, mban njëkohësisht edhe pozitën e kryesuesit të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar, ku është emëruar më 2 dhjetor 2011.

Banka Qendrore bën mbikëqyrjen e bankave, kompanive të sigurimit dhe institucioneve tjera financiare, ndërsa Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar është trupi kryesor shtetëror që licencon dhe kontrollon firmat audituese në Kosovë.

Gashi me përvojë njëmbëdhjetëvjeçare në biznesin e kompanive të sigurimit, tash do t’i mbikëqyrë edhe ato.  

Pozita e zëvendësguvernatorit, që mban Gashi, është funksion publik, dhe legjislacioni kufizon mbajtjen e dy pozitave nga individët që shërbejnë si zëvendësguvernator në BQK dhe kryesues të këtij këshilli.

Zëdhënësi i Bankës Qëndrore të Kosovës, Besnik Kada, tha se pozita e zëvendësguvernatorit nuk është post publik, e as emërim politik. Ai nuk sqaroi se çfarë pozite konsiderohet ajo e zëvendësguvernatorit.

Por sipas Agjensionit Kundër Korrupsion dhe Kuvendit të Kosovës, pozita e zëvendësguvernatorit që mban Gashi është post publik.

Drejtori i AKK-së Hasan Preteni dhe sekretari i Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi iu referuan ligjit për deklarimin  e pasurisë, kur thanë se posti i zëvendësguvernatorit është post publik.

Agjensioni Kundër Korrupsion ka filluar shqyrtimin e këtij rasti për konflikt të mundshëm interesi, pas pranimit të informacionit nga Gazeta Jeta në Kosovë.

\"Agjencia ka hapur rast për këtë punë pas informimit tuaj. Do ta trajtojmë atë dhe do ta informojmë publikun për rezultatin e këtij rasti”,  tha udhëheqësi i AKK-së, Hasan Preteni.

 

/gazetajnk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)