Zotohen për thellimin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë - Shqipëri
Prishtinë, 3 nëntor - Thellimi i bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë në sferat me interes të përbashkët ka qenë temë e takimit të sotëm në mes të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani me ambasadorin e Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi.
Duke e falënderuar për vizitën dhe bashkëpunimin e deritashëm, ministri Hasani u zotua për thellimin e bashkëpunimit në shumë sfera e plane ekonomike në interes të dyanshëm.
"Si garant i këtij bashkëpunimi në mes nesh është edhe emërimi si përgjegjës për udhëheqjen e politikave ekonomike, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Thellimi dhe rritja e dinamikës mes dy qeverive hap kapitull të ri të bashkëpunimit ekonomik me shtetin shqiptar.", ka thënë ministri Hasani.
Ministri po ashtu u zotua për marrëveshje konkrete për tregti dhe pa barriera burokratike mes dy shteteve duke stimuluar prodhimin vendor dhe eksportin, si domosdoshmëri për rritjen dhe zhvillim ekonomik.
Ndërsa, ambasadori Minxhozi shprehu gatishmërinë për krijimin e mundësive të reja për të qenë më afër interesit te ndërmarrjeve dhe bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës.