Zona ekonomike në Tetovë, larg investimeve të reja
Tetovë, 7 janar - Me mbarimin e vitit, Kompania Normac Investment Group si fitues i tenderit për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në Tetovë, paralajmëroi ndërtimin e infrastrukturës kryesore të zonës së lirë ekonomike, ku parashihej ndërtimi i godinave kryesore si dhe realizimin e investimeve të para. Pamjet e një projekti që i afrohej finalizimit nuk ngjajnë me realitetin e një zone ekonomike që duket ende larg realizimit.
Larg finalizimit ka mbetur edhe pjesa infrastrukturore që përbënë nyjen lidhëse me zonën e lirë ekonomike në Tetovë që duhej të realizohej nga qeveria.
Pas premtimeve pompoze për punësimet e shumta që do të bëhen në zonën e lirë ekonomike në Tetovë, që prej vitit 2007, tash për herë të parë u tha se vetëm ndërtimi i zonës së lirë ekonomike do të zgjasë edhe 7 vjet, pa përmendur këtu edhe sa vite shtesë do të duhen për sjelljen e investuesve dhe ndërtimin e fabrikave për punësimin e njerëzve!
Investimet e realizuara gjatë vitit 2014 që arrin deri në 200 milion euro, një shumë të konsiderueshme përbën edhe realizimi i investimeve të disa firmave në zonat e lira ekonomike kryesisht në qytetet e Maqedonisë lindore.
Zona e lirë ekonomike në Tetovë, jo vetëm që nuk ka arritur që të sjellë ndonjë investim me vlerë, por deri derri më tani, duket si një zonë e braktisur.
Nga Drejtoria për Investime të huaja thonë se 13 kompani të reja kanë nisur procedurat për investime në Maqedoni në ndonjërën prej zonave ekonomike.
Dinamika e punës e lënë në mëshirën e kohës në zonën e lirë ekonomike në Tetovë, nga realizimet në teren duket pak premtuese për investimet e reja që paralajmërohen.
Viktor Mizo nga Drejtoria për Investime të Huaja tha se kompanitë e reja do të fokusohen kryesisht në zonat ekonomike jashtë Shkupit pasi hapja e vendeve të reja të punës në qytete më të vogla, ka efekt më të dukshme.
Maqedonia Lindore mbetet zona me ekskluzivitet të plotë në thithjen e investimeve të jashtme, por edhe me prioritetin e krijimit të infrastrukturës së nevojshme nga ana e qeverisë për një gjë të tillë. Rajonet me komunat dërmuese shqiptare janë pjesë e diskriminimit të dyfishtë në aspektin ekonomik, këtë tregon numri i kompanive të jashtme që investojnë në vend.
Në zonën e lirë ekonomike në Tetovë u paralajmërua vendosja e gur themelit të një fabrike italiane Itek Venezia Group. Duke folur për Portalb, menaxheri i fabrikës, Dritan Krifca, ka deklaruar se fabrika do fillojë punën në fund të vitit dhe se do ketë rreth 150 punëtorë. Deri më tani në zonën e lirë ekonomike në Tetovë nuk shihen frytet e një investimi të tillë. Pajmet si sot si dhe verës janë të njejta, një objekt i vetmuar dhe një fushë e tërë.
/Portalb/