19 Nëntor 2024

“Zona e lirë ekonomike” për zhvillim dhe punësim

Mitrovicë, 12 shkurt - Në bazë të studimeve që janë bërë nga ekspertët e mjedisit, hapësira e caktuar nga Komuna e Mitrovicës për ngritjen e Zonës së lirë ekonomike, plotëson kriteret mjedisore. Kështu u tha të mërkurën në debatin publik “Vlerësimi i ndikimit në mjedis për projektin e Zonës së lirë ekonomike”, të organizuar nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me Prishtina REA dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Në këtë debat ku përveç zyrtarëve komunalë, ishin të pranishëm biznesmenë dhe qytetarë të interesuar, eksperti mjedisor, Vehbi Goxhuli, prezantoi në mënyrë të përmbledhur raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Ai tha se ajri, uji, toka, por edhe elementet tjera mjedisore janë brenda kritereve për ngritjen e Zonës së lirë ekonomike.

Ndërsa, Sami Zeka, drejtor për Planifikim Urban, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, bëri të ditur se komuna ka bërë zgjedhjen ideore të zonës urbane.

“Për ngritjen e “Zonës së lirë ekonomike” janë ndarë 48.25 hektarë”, tha ai.

Për ecurinë e procedurave sa i përket licencimit të “Zonës së lirë ekonomike”, foli Ahmet Jetullahu nga Prishtina REA.

Sipas tij, janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe tash janë në pritje të pëlqimit mjedisor në mënyrë që të sigurohet licenca për ngritjen e “Zonës së lirë ekonomike” në Mitrovicë.

Të pranishmit në debat u interesuan për aspektin gjeologjik të hapësirës që është ndarë për këtë projekt si dhe për cilësinë kimike të saj. Lidhur me këto shqetësime, Xhelal Shabani nga Drejtoria e Mjedisit, sqaroi se hapësira e caktuar për “Zonën e lirë ekonomike” është jashtë zonës së ndotur mjedisore në Mitrovicë.

Ndryshe, projekti për “Zonën e lirë ekonomike”, u vlerësua tepër i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Mitrovicë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)