Ziraat Bank së shpejti do të hapet në Kosovë
Prishtinë, 2 mars - Një bankë e re komerciale së shpejti do të hapet në Kosovë. Banka turke Ziraat Bank tashmë është duke i bërë përgatitjet e fundit për tia filluar punës në Prishtinë.
Tregut bankar në Kosovë po i shtohet edhe një bankë e re komerciale. Edhe pse zyrtarët e kësaj banke nuk pranuan të flasin për media, mësojmë se Ziraat Bank tashmë e ka gjetur objektin në Prishtinë dhe është duke i bërë përgatitjet e fundit për tia filluar punës, transmeton RTK.
Ziraat Bank pas Prishtinës, do të hap një degë edhe në Prizren. Por, hapja e një banke të re, nuk ka nënkuptuar deri tash ulje të kamatave, tha për Radio Kosovën, drejtori i Odës Amerikanë Arian Zeka.
Futja e lojtarëve të rinj në sistemin financiar në Kosovë, jo domosdoshmërish ka rezultuar edhe në përmirësimin e ofertës, meqenëse problemi qëndron që zbatimi i kontratave nuk është në nivelin e duhur. Do të duhej që institucionet përkatëse, ministria e drejtësisë, institucionet e tjera përkatëse të punonin më tepër në rritjen e efikasitetit të gjyqësorit, që së paku ky arsyetim të mos mund të ekzistonte.
Ndërkaq, drejtori i organizatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku shpreson se banka e re do të ndikojë në uljen e kamatave: Mund të them se jo vetëm që shpresojmë por ne mendojmë se është obligim i çdo banke të re që hyn në tregun e Kosovës, që të dëshmojë praninë e saj me produkte të reja, me oferta të reja, në këtë kontekst ajo kryesorja që ne si klientë presim është që norma e kamatave të ulet...
Ndryshe, Ziraat Bankasi që kuptimin në shqip e ka Banka e Agrikulturës, është njëra ndër tre bankat publike turke, e themeluar para afro 150 vitesh. Poashtu është njëra ndër bankat më të mëdha turke.