Zhvillimi i ndërmarrjeve sociale në Kosovë
Prishtinë, 26 mars - Dje, në Prishtinë u diskutua, për herë të parë, rreth zhvillimit të Ndërmarrjeve Sociale në Kosovë, në një punëtori që u mbajt në prani të të ftuarve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Punëtoria me titull Zhvillimi i Ndërmarrjeve Sociale në Kosovë u organizua bashkarisht nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Qëllimi i punëtorisë ishte të diskutohet me të gjithë akteret relevant për hapat që institucionet qëndrore duhen marrë për të rregulluar themelimin e e ndërmarrjeve sociale (NS) ne Kosovë.
UNDP dhe MPMS kanë bërë rishikimin e infrastrukturës ligjore për të identifikuar hendeqet ligjore për një regullim të tillë dhe për të nxjerrë rekomandimet për zhvillim të një ligji potencial i cili do të mundësonte bazën për regjistrim të NS-ve.
Pjesëmarrësve ju prezantuan gjetjet dhe rekomandimet nga rishikimi ligjor. U prezantuan poashtu modelet më të mira nga Bashkimi Evropian dhe zhvillimet relevante në Shqipëri.
Në fjalën e tij Mentor Morina, Udhëheqës i Divizionit për Planifikim dhe Përfshirje Sociale, Departamenti i Politikave Sociale dhe të Familjes nga MPMS, tha se që nga viti 2012 Minsitria ka ndërmarrë një varg aktivitetesh për të promovuar ndërmarrësine sociale në mënyrë që të krijohet hapësirë për të jetësuar një koncept i cili do të ndihmonte në zbutjen e një problemi të madh social sic është papunësia, posaçërisht për individët që konsiderohen të margjinalizuar.
Ndërkaq znj. Valbona Bogujevci, Koordinatore e Programit në UNDP tha se në kuadër të strategjisë Europa 2020, Bashkimi Evropian promovon ndërmarrjet sociale në mënyrë aktive si mjet për luftën kundër varfërisë dhe mospërfshirjes sociale.
Duke patur parasysh që axhenda e Kosovës për zhvillim udhëhiqet nga kërkesat dhe standardet për integrime evropiane dhe duke marrë parasysh që UNDP është e përkushtuar të përkrah institucionet e Kosovës në këtë rrugëtim, ne duam të bëjmë përpjekje të përbashkëta që do të kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin e konceptit të ndërmarrësisë sociale, u shpreh Bogujevci.
Të gjithë të pranishmit u pajtuan që në Kosovë ka organizata jo qeveritare që funksionojnë me principet e ndërmarrësisë sociale.
Rekomandimet kyçe që u propozuan në takim nga të gjithë të pranishmit ishin që Kosovës i duhet një akt nënligjor ose një ligj i cili do të rregullonte këtë sektor me kritere të caktuara qartë.
Për këtë do të nevojitet edhe një angazhim me i fuqishëm nga ana e shoqërisë civile për përshpejtimin e hapave drejt draftimit të një ligji potencial nën udhëheqjen e MPMS-së në bashkëpunim me të gjithë akterët relevant.
Ky cilësohet të jetë hap i parë në këtë proces. MPMS dhe UNDP do të vazhdojnë me aktivitete për të gjetur bashkarisht zgjidhjen e duhur.