Zhvillimi i Gjermanisë ofron jetë për euron
Prishtinë, 25 gusht - Ndërsa kriza e eurozonës ka një ndikim tepër negativ për ekonomitë e Evropës jugore, ekonomia gjermane ka pasur një zhvillim modest.
Dieter Burmester është shumë i dhënë pas punës dhe pasionit të tij, muzikës. Kompania e tij me bazë në Berlin prodhon paisje audio me vlerë prej mijëra dollarësh, që mund ti gjesh në makinat luksoze Porsche dhe Bugatti. Por si e shikon zoti Burmester ndikimin e krizës së euros?
Çfarë krize? A ka krizë? Me sa di unë deri tani industria po ecën shumë mirë dhe këtë e dimë nga prodhuesit e makinave, nga kompani të mëdha si Siemens ose Bayer. Edhe gjendja jonë është shumë e mirë, ne i kemi shtuar fitimet.
Firma Burmester është shembull tipik i një kompanie të mesme gjermane. Ajo është pronë e plotë e themeluesit të saj dhe ka vetëm 50 punonjës; ajo nuk mbijeton nga huatë e mëdha e megjithatë konkuron me firma të mëdha globale.
Mendoj se ndërtimi i një kompanie të tillë Si Burmester, është diçka shumë e vështirë. Por në Gjermani ne kemi një situatë të favorshme. Infrastruktura, furnizuesit që ne kemi, fakti që ne kemi punonjës të arsimuar dhe shumë të angazhuar, krijon kushtet e një situate shumë të mirë\".
Tremujorin e fundit, ekonomia gjermane u rrit me 0.3 për qind. Vende të tjera të eurozonës përjetuan ngecje ose tkurrje ekonomike.
Analisti Ferdinand Fichtner i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike thotë se elasticiteti i Gjermanisë i ka rrënjët pikërisht në kompani të tilla rtë mesme.
Ato janë boshti i ekonomisë gjermane. Rreth 2 të tretat e të punësuarve në Gjermani bëjnë pjesë në këto kompani dhe ndoshta më i rëndësishëm është fakti që rreth 8 për qind e të trejnuarve në sektorin industrial janë të punësuar në kompanitë e mesme dhe të vogla.
Gjashtë orë larg Berlinit me tren të shpejtësisë së lartë ndodhet qyteti Shtutgard, qendër e kompanive të mëdha si Porsche dhe Mercedes.
Këtu në vitet 1870, Karl Benz dhe Nikolaus Otto proddhuan automobilin modern. Industria gjermane e automobilëve është tani më e madhja në Evropë. Kompani si Mercedesi janë udhëheqësit e ekonomisë gjermane. Por ato nuk janë burimi i vetëm suksesi. Në një makinë si kjo ka shumë pjesë që prodhohen nga kompani të vogla e të mesme, shumë prej tyre tepër novatore në fushat e tyre.
Në Berlin, adresat e etiketave në magazinën e firmës Burmester flasin për një burim gjithnjë e në rritje të të ardhurave: Azia. Eksportet gjermane në vende jashtë Bashkimit Evropian u rritën me 20 për qind në muajin qershor, krahasuar me një vit më parë. Për krahasim, eksportet e vendeve të tjera të eurozonës ranë me 3 për qind.
Analistët thonë se, që kur Gjermania filloi përdorimin e euros, eksportet gjermane përfituan nga monedha e dobët. Por anketat e opinionit tregojnë se rreth 50 për qind e gjermanëve mbështesin kthimin e monedhës gjermane. Dhe megjithë krizën e euros, kjo shifër ka mbetur thuajse e pandryshuar gjatë viteve të fundit.
Nëse Gjermania shmang recesionin, që ka prekur pjesën tjetër të eurozonës, analistët thonë se kjo do ti atribuohet kryesisht kompanive të mesme si Burmester.