Zhvillimi ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi
Prishtinë, 12 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomik Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, fillon sot vizita në disa komuna të Kosovës, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe përkrahjes së investimeve të huaja në vendin tonë.
Gjatë ditës së sotme, Presidentja Jahjaga do të vizitojë komunën e Klinës, të Istogut, të Pejës, të Deçanit dhe atë të Junikut.
Në një deklaratë bërë për media, para fillimit të vizitave, Presidentja Jahjaga tha se në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane dhe Odën Ekonomike Gjermane, kam vendosur të fillojmë vizitat nëpër komuna të Kosovës për të nxitur një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet e huaja.
\"Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të ligjit dhe konkurrencë të barabartë.\"
\"Vizita ime së bashku me Odat ekonomike ka për qëllim adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në Kosovë\", ka theksuar Jahjaga.
Ajo ka theksur me tutje se gjatë tërë mandatit të saj ka adresuar zhvillimin ekonomik në mënyra të ndryshme, prej komunikimeve të drejtpërdrejta me investitorë të huaj e deri te inicimi i partneriteteve strategjike.
\"Megjithatë, na duhet ti adresojmë me urgjencë edhe problemet në nivelin komunal sepse pa i tejkaluar këto sfida është e vështirë të sjellim investitorë në Kosovë. Unë jam e përkushtuar të kontribuoj deri në ditën e fundit të mandatit tim për të krijuar një ambient të favorshëm për investime.\"
\"Pikënisja është Rrafshi i Dukagjinit dhe unë besoj dhe shpresoj që deri në fund të muajit do ti përmbyllim me vizita shumicën e komunave të Kosovës\", ka deklaruar Jahjaga.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se të fillosh vitin e ri kalendarik 2016 me një mbështetje nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Jahjaga që vërtet prioritet ta ketë zhvillimin ekonomik është më e mira që mund ti ndodhë Kosovës.
\"Është një aktivitet që e promovon një impakt të mirëfilltë publiko privat, është një motivim për sektorin privat dhe është një dëshmi se në Kosovë prioritet i prioriteteve duhet të jetë zhvillimi ekonomik, dhe në qoftë se ky prioritet ka mbështetjen nga e para e Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga, atëherë vërtet për ne si përfaqësues të biznesit është një lehtësi, motivim dhe një dëshmi që Kosova ka ardhmëri dhe zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet. Faleminderit për përkushtim dhe për mbështetje zonja Presidente\", ka pohuar Gërxhaliu.
Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, theksoi se qëllim është që këtë dokument të cilin bashkërisht tri Odat e kanë përgatitur duke i identifikuar çështjet me të cilat bizneset përballen nëpër komuna të ndryshme, ta diskutojmë bashkë me kryetarët e komunave dhe tju bëjmë edhe atyre me dije që ata kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes në nivel komunal.
\"Kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në përkrahjen e bizneseve që ndodhen brenda rajoneve të tyre për të avokuar për problemet me të cilat ata përballen në nivel qendror dhe natyrisht në të njëjtën kohë ti edukojmë edhe bizneset që duhet të kërkojnë më tepër përgjegjësi nga ana e kryetarëve të komunave të tyre.\"
\"Janë disa probleme të cilat i kemi identifikuar dhe që presim që ti komunikojmë bashkërisht. Plani është që gjithashtu brenda një periudhe të shkurtër të bëjmë sërish vizita, por herën tjetër të bëjmë nëpër kompani, që të shohim nëse ka pasur lëvizje nga ana e kryetarëve të komunave në drejtim të adresimit të këtyre çështjeve që i kemi identifikuar\", ka nënvizuar Zeka.
Ndërkaq Albert Matoshi, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane theksoi se kjo është një iniciativë shumë e mirë që ka gjetur përkrahjen edhe nga ana e Odës Ekonomike Gjermane.
\"Mua vetëm më mbetet që ti uroj sukses dhe të shohim direkt me komunat se ku mund të bëjmë ose ku mund ti përmirësojmë gjërat dhe me çka ata ballafaqohen konkretisht\", pohoi Matoshi.