18 Nëntor 2024

Zhvillimi ekonomik, rendi e ligji parakushte për integrime evropiane

Prishtinë, 13 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me studentët e Kolegjit “Universum”, se programi i LDK-së, në katër vitet e ardhshme të qeverisjes, parasheh veprimet konkrete për të një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, krijimin e vendeve të punës, luftimin e varfërisë dhe një shtet ligjor, si parakushte kryesore për integrime në Bashkimin Evropian.

“Prioriteti ynë i parë është zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës dhe luftimi i varfërisë. Ne kemi një rritje ekonomike prej 2.5 për qind dhe investime në sektorë publikë, por ato nuk kanë ndikuar në uljen e papunësisë dhe luftimin e varfërisë, për shkak se investimet nuk kanë qenë të ndërlidhura me punësimin”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se Programi i LDK-së parasheh që investimet publike të ndërlidhen drejtëpërdrejt me gjenerimin e vendeve të punës dhe luftimin e varfërisë. “Në këtë mënyrë ne do të krijojmë nga 25 deri në 30 mijë vende punë, shumica prej të cilave do të krijohen në sektorin e bujqësisë dhe industrisë përcjellëse”, ka thënë kreu i LDK-së.

Për të forcuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), Mustafa ka thënë se do të zgjerohet baza tatimore dhe do të ulen tatimet, ndërsa TVSH-ja nuk do të paguhet më në pikat kufitare, por në brendësi të territorit të Kosovës, pasi që të shiten mallrat.

Mustafa e ka quajtur të papranueshme për Kosovës që të ketë një hendek kaq të lartë në bilancin tregtar me vendet e tjera, kur dihet se Kosova importon në vit 2.2 miliardë euro ndërsa eksporton vetëm 300 milionë euro.

“Nëpërmes investimeve në bujqësi ne planifikojmë që importin e produkteve bujqësore në vlerë prej 600 milionë euro, sa është aktualisht, ta zvogëlojmë për 80%, në favor të prodhuesve vendorë. Në këtë mënyrë ne do të përmirësojmë bilancin tregtar, do të rrisim prodhimin vendor, do të shtojmë vendet e punës dhe do ta luftojmë varfërinë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Duke bashkëbiseduar me studentët, Mustafa e ka quajtur të papranueshme gjendjen në arsim dhe shëndetësi.

“Meqenëse ne i kushtojmë rëndësi të madhe bujqësisë, planifikojmë të ta hapim një Universitet të Bujqësisë dhe një Universitet të Turizmit në Pejë. Ne do të krijojmë kushte për rritjen e cilësisë si në arsimin publik ashtu edhe në atë privat, në mënyrë që të diplomuarit të mos kenë nevojë për arsimim shtesë pasi që t’i kryejnë studimet. Arsimi cilësor është parakusht edhe për inkurajimin e vendeve të punës”, ka thënë Mustafa.

Ai e ka quajtur të papranueshme gjendjen aktuale në fushën e shëndetësisë, pasi që, qytetarët kosovarë në mungesë të shërbimeve shëndetësore po detyrohen që të shpenzojnë miliona euro për trajtime shëndetësore në Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe vendet e tjera. “Synimi ynë është që shërbimet shëndetësore të ofrohen në Kosovë dhe të mos kemi nevojë të shpenzojmë miliona jashtë vendit”, ka thënë Mustafa.

Sa i përket shtetit ligjor, kryetari i LDK-së ka thënë se ai është parakusht për zhvillim dhe integrime evropiane. “LDK-ja do të krijojë kushte për ndarje të mirëfilltë të pushteteve ndërmjet legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, në mënyrë që secili t’i kryejë detyrat e veta në mënyrë sa më të mirë të mundshme”, ka thënë Mustafa.

Ai e ka kritikuar Qeverinë për mosplotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave. “Në gjysmën e dytë të këtij viti, LDK-ja do të plotësojë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave në mënyrë që qytetarët tanë, sikur e gjithë Evropa të kenë të drejtën e udhëtimit pa viza në Zonën Shengen.

Mustafa është përgjigjur edhe në shumë pyetje të studentëve dhe mësimdhënësve të tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)