08 Nëntor 2024

Zhvillimi ekonomik i Kosovës është bazuar në dialogun me bizneset

Prishtinë, 28 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në raundin e dytë të Platformës së Dialogut për Investime, i cili u organizua nga Këshilli i Investitorëve Evropianë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në këtë ngjarje, ku ishin të pranishëm shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ministrat Hykmete Bajrami, Blerand Stavileci dhe Avdullah Hoti si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë, kryeministri Mustafa vlerësoi progresin që është arritur për më pak se një vit nga lansimi i dialogut me investitorët evropianë në sektorë mjaft të rëndësishëm, siç është ai i minierave dhe i mineraleve, energjisë, sektorit financiar, sektorin e telekomunikacionit, në të cilët ka pasur investime të vazhdueshme dhe efekte pozitive.

“Zhvillimi ekonomik është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Këtë zhvillim ne e kemi bazuar në një dialog të vazhdueshëm me bizneset, me asociacionet e bizneseve, në mënyrë që të ndërtojmë politika ekonomike si politika të përbashkëta. Mund të themi se kemi arritur të përmirësojmë jo vetëm ambientin e të bërit biznes në vend, por edhe të përmirësojmë rangimin tonë në indeksin e Bankës Botërore të Bërit Biznes, dhe para pak kohësh në Forumin Botëror të  Investitorëve, Qeveria e Kosovës ka fituar çmimin “Qeveria më e mirë e Evropës Juglindore për Mbështetjen e Ndërmarrësisë”, si dhe kemi po ashtu vlerësimin e Fondacionit “Heritage”, i cili e ka renditur Kosovën në vendin e 46-të në botë sa i përket lirive ekonomike”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa tha se të gjitha këto janë mirënjohje për punën e bërë deri më tani duke theksuar përkushtimin që edhe më tutje të përmirësohet ambienti dhe të krijohet liri më e madhe ekonomike dhe të arrihet bashkëpunim më i madh.

“Të gjitha këto po i bëjmë edhe përmes dialogut që po e bëjmë me sektorin privat, sa i përket reformave fiskale. Kemi arrit që të implementojmë në mënyrë të dukshme masat fiskale të pakos së parë. Tani mendojmë që të procedojmë me pakon e dytë së shpejti në Qeveri dhe mendojmë se kjo pako do të krijojë hapësirë që bizneset ta ndjejnë veten të barabartë jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe në relacionin me tregun regjional dhe me tregun evropianë.\"

\"Ne, po ashtu pajtohemi që investitorët nga Bashkimi Evropian kanë qenë partneri ynë kryesor dhe mbesin partneri ynë kryesorë edhe në pjesëmarrjen dominante në eksporte, edhe sa i përket ardhjes së investimeve të huaja direkte gjatë dy viteve të fundit, por edhe në pikëpamje të eksplorimit të mundësive që ofron Kosova përmes një legjislacioni të ri, siç është tani Ligji për Investime Strategjike, sa i përket mundësive të investimeve në sektorë strategjik, siç është sektori i infrastrukturës dhe minierave së bashku me energjinë, pastaj sektori i transportit dhe telekomunikacionit, sektori i turizmit, industrisë përpunuese, i bujqësisë dhe industrisë ushqimore, i shëndetësisë, në fushën e parqeve industriale dhe teknologjike, dhe në administrimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave, gjithmonë duke lehtësuar procedurat, duke lënë anash burokracinë dhe duke siguruar një transparencë më të madhe të përshtatjes së kërkesave prej investitorëve seriozë. Ne do të mundohemi edhe më tutje që këtë klimë ekonomike ta përmirësojmë në mënyrë që të kemi ardhje edhe nga investitorët tjerë.\"

\"Ne kemi arrit që me buxhetin që është aprovuar vitin e kaluar, kryesisht të orientojmë buxhetin në investime kapitale, kemi rrit gati për 50 për qind investimet kapitale, në një buxhet prej rreth 2 miliardë euro, kemi arrit të sigurojmë stabilitet fiskal dhe makroekonomik, dhe po ashtu të mbesim në një program shumë të rëndësishëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke i plotësuar të gjitha kriteret që ky fond i ka kërkuar para nesh. Kemi intensifikuar projektet që financohen me Bankën Botërore, me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me Bankën Evropiane për Investime, me Bankën Gjermane për Zhvillim, dhe po ashtu kemi intensifikuar bashkëpunimin me partnerë tjerë të Bashkimit Evropian, me Austrinë, Italinë dhe vendet tjera, për të cilat unë falënderoj edhe ambasadorët e këtyre vendeve që janë këtu.\"

\"Me Gjermaninë është punuar mjaft gjatë, dhe ne jemi të interesuar që me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian të kemi projekte të cilat e lidhin vendin tonë në pikëpamje ekonomike, por këto lidhje do të jenë shumë më të forta sesa lidhjet tjera. Kemi arritur që gjatë kësaj periudhe të zvogëlojmë shkallën e papunësisë, të mbajmë rritjen ekonomike 4 ose mbi 4 për qind, e cila rritje ekonomike gjeneron nga sektori privat për dallim prej gjenerimit të brendshëm nga investimet publike dhe shpresojmë se me investimet e reja që do t’i bëjmë, do të kemi një rritje më të madhe. Kemi gjallëruar mjaft shumë disa sektorë që janë të rëndësishëm për ne, siç është sektori i agrobiznesit, pastaj shërbimet teknologji informative dhe po mundohemi që të ofrojmë lehtësi për investime të reja.\"

\"Po ashtu, tregu i punës në Kosovë është mjaftë fleksibil. Kosova ka një popullatë të re. Kemi ende pagën e ulët sa i përket çmimit si pagë mesatare, e cila mund të jetë tërheqëse për investitorët e jashtëm dhe mund të jetë po ashtu tërheqëse sa i përket fleksibilitetit të tregut të punës, për çfarë ne po bëjmë përpjekje maksimale që atë ta sigurojmë edhe përmes një ndërlidhje tani me agjendën e reformave evropiane të arsimit në procesin e tregut të punës dhe punësimit”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri Mustafa vlerësoi progresin e arritur sa i përket investimeve në energji elektrike dhe sigurimin e energjisë elektrike, si një prej resurseve të rëndësishme që garanton zhvillimin në të ardhmen.

“Kemi zgjidhur problemin e Trepçës me Ligjin për Trepçën. Tani presim studimin e fizibilitetit, në mënyrë që ta marrim përgjigjen se çfarë do të bëjmë edhe më tutje, jo vetëm tek “Trepça”, por edhe tek miniera dhe mineralet e tjera dhe të shfrytëzimit të tyre për nevoja ekonomike. Po bëjmë përpjekje maksimale që t’i përshtatim reformat ekonomike, rrjedhimisht me kërkesat që i ka Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe sa i përket përshtatjes ligjore, sa i përket masave ekonomike që duhet t’i marrin ministritë e caktuara në fushën e politikave ekonomike, të politikave tregtare, pastaj në fushën e sferës së të drejtave të njeriut, të sundimit të ligjit, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe këto çështje mbesin çështje të përkushtimit të përhershëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me Agjendën e Reformave Evropiane, i kemi dhënë përparësi qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, konkurrueshmërisë dhe klimës së investimeve, edhe punësimit dhe arsimit, për të cilat fola edhe më parë dhe këto mbesin prioritetet tona, të cilat do t’i realizojmë së bashku me ju në këtë proces në të ardhmen.

Dëshiroj po ashtu që të shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe ministrat e dikastereve të caktuara që merren me fushën e ekonomisë, të financave, për punën e tyre që e kanë bërë bashkë me komunitetin e biznesit dhe së bashku me përfaqësuesit e bizneseve nga vendet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të zhvillojmë një dialog të pandërprerë sa i përket përshtatjes së ambientit të bërit biznes, me kërkesat që kanë bizneset e jashtme, në mënyrë që të bëjmë përpjekje për tërheqjen më të madhe të investimeve të jashtme.

Vlerësoj se kjo tryezë do të na ndihmojë që edhe më tutje t’i konkretizojmë hapat që do t’i ndërmarrim, në mënyrë që të kemi një lidhje të fuqishme, e cila do të ndihmojë në rritjen më të shpejtë ekonomike të Kosovës, në zgjidhjen e problemit të papunësisë dhe në punësim më të madh, në eksport, të cilit ne duhet t’i japim përparësi elementare, edhe në fushën e kohezionit ekonomik dhe të gjithëpërfshirjes për çfarë ne jemi të interesuar në mënyrë jetike”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, theksoi se kjo ngjarje tregon përkushtimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe investitorëve evropianë, organizuar nën ombrellën e Këshillit të Investitorëve Evropianë.

Sipas saj, qëllimi i këtij takimi është vendosja e autoriteteve relevante pas temave specifike, në një tavolinë, duke mundësuar konfrontimin e pikëpamjeve potencialisht të kundërta, në mënyrë që të gjenden zgjidhje të mira dhe të vije deri tek kompromiset.

“Kjo ngjarje nuk duhet të shihet si ngjarje në të cilën çështjet vetëm do të diskutohen, por të konsiderohet si platformë ku diskutimet konstruktive do të transformohen në veprime konkrete”, tha Apostolova.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, duke folur për klimën e investimeve në Kosovë, tha se ka vlerësime edhe nga komuniteti i biznesit, por edhe nga institucione dhe raporte kredibile, se sa i përket ambientit të biznesit në përgjithësi në Kosovë ka pasur progres.

“Këtë e thotë raporti i Bankës Botërore, Fondacioni “Heritage”, çmimi që morëm para disa ditëve që jemi Qeveria më mbështetëse sa i përket ndërmarrësisë”, tha ministrja Bajrami.

Më tej, ministrja Bajrami tha se është e natyrshme që disa biznese kanë ende çështje që janë të hapura, për shkak se ambienti i biznesit është ndërsektorial.

“Është mirë që kemi tryeza të tilla të cilat mbledhin të gjithë akterët të cilët janë përgjegjës për çështje dhe ambientin e biznesit, në mënyrë që ne t’i adresojmë ato në mënyrë konsistente dhe në të njëjtën kohë”, tha ministrja Bajrami, duke theksuar se Kosova renditet e 60-ta në raportin e Bankës Botërore prej 190 vendeve, apo në kategorinë e parë sa i përket ambientit të biznesit nga tri kategoritë sa ndahen nga Banka Botërore.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se ky vit do të jetë vit i Termocentralit “Kosova e Re”, për të cilin pothuajse qe një vit janë zhvilluar negociata me investitorin amerikan dhe në anën tjetër paralelisht janë zhvilluar edhe shumë paltforma dialoguese me partnerët më strategjik të këtij projekti, me Bankën Botërore, me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por edhe me investitorë të shumtë, të cilët janë të interesuar për ta ndërtuar  Termoelektranën.

“Nga java e ardhshme do të hyjmë në fazën finale, e cila do të qojë te nënshkrimi i marrëveshjeve komerciale. Kemi arritur që edhe me këto zhvillime brenda vendit tonë, si një klimë e brendshme investive, ta ruajmë gjatë gjithë kohës interesimin e investitorëve më të mëdhenj, të atyre, të cilët do ta ndërtojnë këtë Termoelektranë”, tha ministri Stavileci.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se po përmbyllet një cikël i reformave që është filluar në vitin 2015.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me rezultatet që kemi arritur. Mendoj që norma e zhvillimit ekonomik, efekti në punësim dhe në të hyra buxhetore, në masë të madhe i atribuohen pakos së parë fiskale. Tani jemi në finalizim të pakos së dytë fiskale. Besoj shumë shpejt do ta prezantojmë në Qeveri për aprovim. Është, mendoj, ndër reformat më të thella që janë bërë në dhjetë vitet e fundit dhe përmes kësaj, ne përmbyllim pjesën e reformave ligjore. Ajo çfarë mbetet më tutje, është rritja e efikasitetit institucional në të bërit biznes”, tha ministri Hoti.

Robert Erzin, kryesues i Këshillit të Investiorëve Evropian, tha se ky Këshill në baza ditore kanë eksperienca me ambientin e të bërit biznes në Kosovë, duke parë se si po implementohet legjislacioni, si po punojnë institucionet në Kosovë dhe se cilat janë sfidat në tregun e Kosovës.

“Si të tillë, ne mendojmë se mund të ofrojmë të dhëna shumë të vlefshme për Qeverinë dhe BE-në, se çfarë të bëjnë në tregun e Kosovë që të zhvillojnë kushte edhe më të mira për të tërhequr investitorë shtesë në Kosovë sepse kjo është shumë e rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës”, tha Erzin.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Shpend Balija, përmendi me këtë rast sektorët e ndryshëm për të cilët është diskutuar në tryezën e parë të “Dialogut për Investime”, siç janë sektori i minierave dhe mineraleve, sektori i naftës, sigurimeve, sektori bankar dhe i telekomit.

“Ne jemi të kënaqur sa i përket progresit sepse ka filluar që të arrihet një progres i dukshëm dhe ka pasur progres të jashtëzakonshëm në disa sfera duke përfshirë minierat dhe mineralet, në sektorin bankar, por janë bërë edhe lëvizjet e fundit siç i përmendi edhe z. Kryeministër në pakot fiskale që do të kenë ndikim në çështjen e vaporimit të naftës, por edhe në kompanitë e sigurimeve të cilat do të rregullohen”, tha Balija, ndër të tjera.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)