20 Nëntor 2024

Zhvillimi ekonomik, çelësi i stabilizimit të situatës në veri

Prishtinë, 23 gusht - Zhvillimi ekonomik është çelësi i stabilizimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Megjithatë, investimet që ndërlidhen direkt me zhvillimin ekonomik të asaj pjese, deri më tani kanë qenë shumë të pakta.

Këtë e konfirmon për Radio Kosovën koordinatorja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq.

“Ka shumë sfera ku mund të punohet mendoj që investimet që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik kanë qenë shumë të pakta. Por edhe kur kanë ndodhur mendoj se kanë qenë shumë të gabuara. Neve na duhet një projekt i cili e analizon një situatë të mirëfilltë se ku duhet te investohet dhe si duhet të ecë një biznes”, tha Hoxhiq.

Investimet më të mëdha, kanë qenë në sektorin e bujqësisë. Por, Safet Peci, nga Zhazhi i Zveçanit, thotë se pavarësisht investimeve asgjë nuk po funksionin atje.

“Bujqësia është e vdekur te ne. Edhe po të mbjellim grurë nuk kemi kombajnë për korrje. I kanë dhënë tri-katër tenda. Me një fjalë kanë investuar pak në bujqësi por nuk funksionon”, tha ai.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë për Radio Kosovën se çelësi i stabilizimit politik mbetet zgjidhja e problemit ekonomik. Por, zgjidha e këtij problemi, sipas Limanit, duhet të ketë qasje politike.

Pa stabilizim ekonomik nuk ka as stabilizim politik. Po të kishte zhvillim të përgjithshëm ekonomik në Kosovë, as serbët nuk do ta shtronin pyetjen se a jetojnë në Kosovë, në Serbi apo në Mal të Zi, në qoftë se i kanë kushtet dhe jetës e mirë”, tha Limani.

Ndikimi i investimeve në veri të Kosovës, do të ndikonte shumë në përmirësimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve vlerëson, Adriana Hoxhiq.

“Në jug nuk hamë njerëz, as në veri nuk hamë njerëz. Edhe në jug edhe në veri ne kemi probleme të njëjta. Ne duhet të bashkëpunojmë dhe ta gjejmë mënyrën se si të ecim përpara”, tha ajo.

Ndërkohë, me marrëveshjen e kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, vitin e kaluar është krijuar edhe fondi për zhvillimin e veriut. Sipas marrëveshjes, për mbushjen e këtij fondi mund të kontribuojë edhe Republika e Serbisë, por vetëm në mënyrë transparente duke e bërë publik qëllimin e dërgesave. 


/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)