Zhbogar premtoi vazhdimin e projekteve të BE-së për Mitrovicën
Mitrovicë, 9 tetor - Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, premtoi të martën gjatë një vizite në Mitrovicë vazhdimin e projekteve për këtë qytet.
Gjatë takimit me kryetarin e komunës, Avni Kastrati, ai theksoi se Mitrovica është përfituesja më e madhe e projekteve që mbështeten nga BE-ja në Kosovë.
Zhbogar ka vlerësuar shumë edhe përkushtimin e kryetarit Kastrati për menaxhimin e projekteve që janë realizuar këtu.
Jemi shumë të kënaqur që projektet që realizohen këtu janë mirëmbajtur dhe janë treguar të suksesshme.
Ai tha se këtë vizitë e realizon në kuadër të fushatës Është koha për Evropë. Mendoj që është koha që Evropa të jetë më shumë e pranishme këtu.
Ndërsa, kryetari Kastrati, falënderoi përfaqësuesin e BE-së për mbështetjen e pakursyer për realizimin e projekteve që kanë krijuar kushte më të mira për jetë në Mitrovicë.
Ai përmendi projektet si Qendra multifunksionale, Palestra e sportit, Qendra e biznesit, mandej Ujësjellësi rajonal etj.
Në takim kryetari Kastrati edhe për problemet dhe sfidat në këtë pjesë të Kosovës. Ai ceku problemin e lëvizjes së lirë në veri, që është duke vështirësuar jetën e qytetarëve.
Si hap pozitiv ai vlerësoi punën e Zyrës Administrative në Veri dhe bashkëpunimin e ngushtë me stafin e atjeshëm.