16 Janar 2025

Zgjedhja e anëtarit të Bordit të BQK caktohet për 21 shkurt

Prishtinë, 8 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në mbledhjen e sotme të Kryesisë, ka paralajmëruar se me 21 shkurt do të mbahet seancë për votimin e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Partitë opozitare paralajmërojnë se nuk do ta votojnë këtë listë as me datën 21 shkurt.
 
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vënë në rend dite, me datë 21 shkurt, zgjedhjen e anëtarit joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, pasi që një gjë e tillë dështoi në mbledhjen e djeshme, pasi opozita braktisi punimet.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se është arritur pajtim që kjo situatë të tentohet të zgjidhet me 21 shkurt, atëherë edhe kur është paraparë që të mbahet seanca e Kuvendit.

“Seanca e papërfunduar do të tentohet të mbahet me 21 shkurt, nëse nuk arrihet të zgjidhet kandidati, atëherë kjo i kthehet propozuesit dhe përsëritet krejt procedura”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka përsëritur se do të veprojnë ngjashëm edhe në seancën e 21 shkurtit.

“Kur do që të mbahet seanca, qëndrimi ynë nuk do të ndryshojë nëse procedohet me këtë listë dhe me këtë emra”, tha Beqiri.

Zëvendëskretari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Elmi Reçica, thotë se disa prej deputetëve janë në vizitë jashtë vendit, dhe se më 21 shkurt kuorumi do të arrihet.

“Sot është vendosë që kjo të jete në rend dite me 21 shkurt dhe nëse nuk ka vota atëherë kjo do të kthehet mbrapa”, theksoi Reçica.

Ndryshe, dje, tri partitë opozitare, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, lëshuan sallën në momentin kur deputetët shumicë nuk mbështetën një propozim të tyre që Kuvendi të mos votojë për një anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, dhe që ky institucion të rishpallë konkursin.

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)