Zgjatet deri më 30 qershor afati për pagesën e tatimeve
Prishtinë, 27 prill - Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus COVID 19, ka marr vendim që të zgjatet deri më 30 Qershor 2020 afati për pagesën e tatimeve.
Afati zgjatet per pasqyra tremujore e tatimit dhe kontributeve për bizneset e mëdha individuale (IL); pasqyra tremujore e tatimit dhe kontributeve për bizneset e vogla individuale (IS); pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për Korporatat e Mëdha (QL) dhe pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për Korporatat e Vogla.
Pavarësisht pikës 1 të këtij Vendimi, afati për deklarimin e tatimeve sipas pikës 1 të këtij vendimi mbetet deri me datën 30 prill 2020 dhe bëhet në pajtim me legjislacionin tatimor në fuqi. Ky Vendim do të zbatohet për të gjithë tatimpaguesit të cilët në bazë të legjislacionit tatimor janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë për këto lloje tatimesh.
Tatimpaguesit të cilët janë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë, munden që të bëjnë kërkesë për marrëveshje të pagesës me këste, dhe bazuar në dëshmitë e prezantuara, Administrata Tatimore e Kosovës mund të mundësojë formën e tillë të pagesës për këto lloje të tatimit duke i rezervuar vetes të drejtën që pas përfundimit të masave në fuqi edhe të bëjë verifikimin e secilit rast.
Për të gjitha llojet e tjera të tatimeve afati për deklarim dhe pagesë përfundon me datën 30 prill 2020 sipas Vendimit Nr. 26/2020 të datës 19.03.2020, të Ministrit të Financave dhe Transfereve.