Zeka: Privatizimet nuk duhen ndalur
Prishtinë, 12 gusht - Qeveria e re e Kosovës, e cila do të formohet, duhet të ketë një agjendë ekonomike, ku në fokus do ta ketë zhvillimin e sektorit privat, i cili është bartës kryesor i hapjeve të vendeve të reja të punës.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka deklaruar për \"Epokën e re\", se qeveria e ardhshme duhet të tregojë seriozitet më të madh në agjendën e zhvillimit ekonomik.
Edhe në të kaluarën ka pasur iniciativa të mira, por që nuk janë përcjellë me dinamikë të mirëfilltë. Fuqizimi i sektorit privat, si bartës kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit, duhet të jetë prioritet i Qeverisë së ardhshme, e kjo duhet të reflektojë në ndryshime të pjesëve të ndryshme të legjislacionit, të cilat sot nuk janë shumë të favorshme për sektorin privat, ka theksuar ai.
Zeka ka thënë se qeveria e ardhshme duhet ta ndryshojë qasjen dhe të jetë shumë më e hapur dhe më përkrahëse edhe për investitorët e huaj. Në përgjithësi, fushata është karakterizuar me premtime të shumta për zhvillim ekonomik, prandaj pritjet e sektorit privat dhe shoqërisë në përgjithësi do të jenë të mëdha, është shprehur Zeka.
Sipas tij, kalimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në pronësi private duhet të vazhdojë. Ka pasur shumë pakënaqësi me mënyrën se si privatizimi është kryer në të kaluarën dhe efektet e tij në zhvillimin ekonomik, por qeveria e ardhshme nuk duhet ta ndërpresë këtë proces të rëndësishëm në të cilin kanë kaluar shumica e vendeve në tranzicion, ka deklaruar Zeka.
Ai ka thënë se rishikimi i metodave të privatizimit do të ishte diçka e mirëpritur. Qeveria e ardhshme duhet të fillojë me një strategji gjithëpërfshirëse të zhvillimit ekonomik. Edhe sektori privat nëpërmjet asociacioneve të biznesit do të ishte i gatshëm ta ofronte ekspertizën dhe kontributin e tij në këtë proces, ka shtuar Zeka. Sipas tij, ekzistojnë mekanizma të mirë nëpërmjet të cilëve do të mund të draftohej kjo strategji.
Strategjia do të duhej të bazohej në potencialet reale që Kosova ofron si dhe në resurset e saj natyrore, ka thënë ai. E duke folur për mungesën e investitorëve, Zeka ka thënë se, fatkeqësisht, Kosova si vend nuk gëzon reputacion të mirë në botë, sidomos në sytë e investitorëve të huaj. Vazhdimi i pasigurisë politike vetëm sa do të rëndojë edhe më tej këtë reputacion. Tashmë kemi pasur vonesa të shumta në projekte të rëndësisë strategjike, si ai i ndërtimit të termocentralit të ri dhe projekti i Brezovicës, ka deklaruar Zeka.