02 Maj 2024

Zbatimi i ligjit të punës me shumë pengesa

Prishtinë, 14 qershor - Ligji i punës, i cili është duke u zbatuar qe gjashtë muaj, ende po hasë në vështirësi.


Nenet më problematike janë pushimi i lehonisë, orari i punës, mungesa e kapaciteteve mbikëqyrëse të inspektoratit, por edhe roli i gjykatave në trajtimin e lëndëve të inspektoratit. Këto konstatime i ka nxjerrë Instituti për Studime të Avancuara GAP, në një analizë rreth zbatimit të këtij ligji, që e publikoi të martën në Prishtinë.


Zbatimi i Ligjit të punës në gjashtëmujorin e parë ka hasur në mjaft vështirësi, konstaton Instituti GAP.
Përfaqësuesi i GAP-it, Jeton Mehmeti, ka deklaruar se neni më problematik është ai i pushimit të lehonisë.


Me ligjin e punës, lehonat kanë të drejtë të shfrytëzojnë pushim në afat prej 12 muajsh; gjashtë muaj me pagesë 70 për qind të pagës bazë nga punëdhënësi, 3 muaj me 50 për qind të pagës mesatare nga qeveria, kurse tre muajt e fundit pa pagesë. Por Mehmeti tha se në sektorin privat nuk ka vullnet për ta respektuar këtë nen:


“Ndër arsyet që ata na kanë dhënë është se 70 për qind e pagës dhe ky gjashtëmujor për disa biznese, kryesisht të mesme dhe të vogla, paraqet vështirësi financiare, duke marrë parasysh se gjatë asaj kohe detyrohen të marrin punëtore tjera si zëvendësuese”.
Gjatë analizës është vërejtur se mungojnë kontrata e punës, orari i punës nuk respektohet, ndërkaq Inspektorati i punës nuk ka kapacitete të mjaftueshme për ta mbikëqyrur zbatimin e ligjit.


Prandaj zyrtarët e GAP-it iu rekomanduan autoriteteve përgjegjëse që të rrisin numrin e inspektorëve të punës, të rrisin fondin për lehonat, që aktualisht është vetëm 300 mijë euro, dhe që gjykatat të trajtojnë me prioritet lëndët e adresuara nga Inspektorati i punës.


Këshilltari i ministrit të punës, Behxhet Gaxhiqi, ka theksuar se aktualisht nuk mund të rrisin numrin e inspektorëve, por do të rishikojnë fondin për pushimin e lehonisë.


Kurse Flora Brovina nga Komisioni për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale tha se duhet të miratohet edhe ligji për sigurime shoqërore. Në debat morën pjesë edhe përfaqësues të punëdhënësve dhe punëtorëve, që vunë në pah vështirësitë e zbatimit të këtij ligji.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)