Xhamia e Jashar Pashës në Prishtinë prej tri vitesh pret restaurimin
Prishtinë, 22 gusht - Në kuadër të projektit Transparency Online, EC Ma Ndryshe, nga muaji qershor, ka filluar hulumtimet rreth punëve konservuese dhe restauruese në objektet e trashëgimisë kulturore në Prishtinë. Pas konstatimit të vonesave në aktivitetet restauruese të Xhamisë së Çarshisë, hulumtimi i ardhshëm ka për objektiv Xhaminë e Jashar Pashës.
Më 23 shtator 2011 ishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në mes të Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim (TIKA), Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Sipas kësaj marrëveshjeje, TIKA do të mbulojë koston e plotë të projektit, për të cilën kishte ndarë rreth 900 000 euro.
Pas hartimit të projektit të restaurimit nga ana e TIKA-së dhe sigurimit të të gjitha lejeve të nevojshme për ndërhyrje në objekt, në vitin 2012 pritej të bëhej së paku shpallja e tenderit dhe përzgjedhja e punëkryesit. Sipas përfaqësuesit të TIKA-s në Kosovë, kjo punë u realizua vetëm tani dhe fillimi i punimeve pritet të nisë brenda pak kohësh.
Sipas memorandumit të bashkëpunimit të lartpërmendur, është evidente që e gjithë përgjegjësia për hartimin, administrimin dhe implementimin e projektit i është lënë donatorit, në këtë rast TIKA-s, ndërsa përgjegjësitë e rezervuara për MKRS-në konsistojnë në sigurimin e të gjitha kushteve të nevojshme administrative që TIKA të realizojë projektin.
Në fillim të vitit 2012, Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës vendos ta mbyllë xhaminë për besimtarë, pasi që u konstatua rrezikshmëri e konsiderueshme nga çarjet dhe dëmet tjera që xhamia i ka pësuar nga koha. Ekziston rreziku që këto dëme në objekt të përkeqësohen edhe më tej nëse nuk ndërmerren disa masa siguruese. Zhagitja e procedurave të nisjes së restaurimit dhe konservimit që MKRS-ja ia ka besuar TIKA-s, sigurisht që kontribuon në masë të madhe në degradimin e mëtutjeshëm.
EC Ma Ndryshe shpreh edhe shqetësimin për faktin që asnjë nga palët që kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për punët restauruese të xhamisë së Jashar Pashës nuk ka ndërmarrë masa për ta mbyllur dhe siguruar ndërtesën, duke e lënë mundësinë që qytetarët e pandërgjegjshëm të dëmtojnë apo largojnë gjërat me vlerë të brendisë së xhamisë.
Duke i marrë parasysh të gjitha këto, EC Ma Ndryshe rekomandon:
· Fillimin sa më të shpejtë të punimeve restauruese në Xhaminë e Jashar Pashës
· Sa herë që nënshkruan marrëveshje për punë restauruese të trashëgimisë kulturore, MKRS duhet t\'i kushtojë rëndësi përcaktimit të afateve të punëve për t\'i evituar vonesat e mundshme.
· Sigurimin dhe mbylljen e xhamisë përpara se të fillojnë punët restauruese/ konservuese