Xhakaliu: Kosova oazë për investime
Berlin, 27 nëntor - Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu në një intervistë për EurActiv ka thënë se Kosova ofron shumë potencial për kompanitë e vogla, të mesme dhe korporatat gjermane.
Ai ka theksuar se është duke punuar intensivisht për tu sqaruar investitorëve potencial gjerman se Kosova ka ligjet më të favorshme për mbrojtjen e investimeve të huaja.
Ne kemi një popullatë shumë të re, të talentuar dhe e përgatitur profesionalisht. Kosova ofron shumë mundësi të mira për investime. Ka një interesim shumë të madh për investime gjermane në Kosovë dhe tashmë ka shumë ndërmarrje gjermane dhe kosovare që kanë një bashkëpunim shumë të mirë, ka thënë ndër të tjera, Xhakaliu, raporton Ministra kosovare e Punëve të Jashtme në Prishtinë.
Gjatë intervistës, ambasadori po ashtu ka thënë se ekziston bashkëpunimin shumë i mirë me Ministrinë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Gjermanisë, e cila siç tha Xhakaliu, ka mbështetur Republikën e Kosovës me 100 milionë euro, përmes projekteve të ndryshme.
Ne jemi të interesuar që të kemi sa më shumë ndërmarrje gjermane që investojnë në Kosovë, tha ai, citon MPJ.
Xhakaliu po ashtu, sipas MPJ-së në Prishtinë, ka thënë se Kosova ka popullatën më të re në Evropë, rininë të etur për arsimim dhe punë, prandaj sipas tij, duhet tiu mundësohet që të lëvizin të lirë në Evropë për të jetuar ëndrrën e tyre për studime dhe punësim. Lidhur me diasporën kosovare, Xhakaliu u shpreh se në Gjermani jetojnë mbi 300 mijë kosovarë dhe se ata janë ambasadorët e Kosovës.
Shumë kosovarë tashmë kanë krijuar firmat e tyre në gjermani, ata paguajnë taksat dhe ndihmojnë zhvillimin ekonomik jo vetëm të Gjermanisë, por edhe të Kosovës. Me punën dhe përkushtimin e tyre, ata kanë krijuar një imazh shumë të mirë për Republikën e Kosovës në Gjermani. Gjenerata e tretë tashmë është integruar tërësisht, ka thënë ai.
Duke folur për situatën politike në Kosovë, ai ka thënë se Serbia sa më shpejt duhet të heq dorë nga strukturat ilegale në tre komunat e veriut të Republikës së Kosovës.
Kjo është kërkesë jo vetëm e Qeverisë së Kosovës, por edhe e Gjermanisë dhe shteteve tjera që mbështesin paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan, ka thënë ai.